SHTËPI BARI NË SARANDË/ 157 bimë dhe 18 kg kan*bis të kapura, arrestohet administratori i pallatit (VIDEO)

Policisë Sarandë ka finalizuar operacionin e koduar “Administratori”, duke goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura në qytet.

Si rezultat i këtij operacioni u sekuestruan 157 bimë narkotike Cannabis Sativa, të kultivuara në vazo, 18 kg lëndë narkotike kanabis, në gjendje të thatë.

Pajisje elektrike dhe teknike për kultivimin, tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike, përfshirë 90 llamba me reflektorë, 100 siguresa elektrike, 5 kondicionerë, 15 ventilatorë, 4 filtra ajri, tubo aspirimi, si dhe 3 aparate celulare dhe pajisje të tjera.

Ndërkaq u arrestua në flagrancë E. B., 45 vjeç, administrator i pallatit ku ishin përshtatur ambientet kriminale, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim 4 persona të tjerë, të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Janë shtetasit e identifikuar me inicialet E. Sh., 48 vjeç, S. H., 26 vjeç, T. M., 28 vjeç dhe A. M., 25 vjeç.

Po ashtu, u procedua penalisht edhe M. B., 45 vjeçe, bashkëshortja e E. B.

Operacioni u zhvillua në dy apartamente të katit të nëntë të një pallati 9-katësh, në lagjen nr. 2, Sarandë, ku u konstatuan ambientet e përshtatura për kultivimin dhe përpunimin e bimëve narkotike, të furnizuara me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.