VIDEO/ Rrugorja, reprezalje në Tiranë! Gjobiten dhe vihen nën hetim dhjetëra shoferë

 Policia e Tiranës ka kryer kontrolle dhe monitorim në të gjithë kryeqytetin, për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për të menaxhuar trafikun.

Policia njoftoi se gjatë javës së fundit, janë evidentuar dhe ndëshkuar një sërë shkeljesh të Kodit Rrugor.

Konkretisht sipas policisë “për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit, janë proceduar penalisht 59 drejtues mjetesh, 6 prej të cilëve janë vënë në pranga, për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqiti kjo shkelje, për jetën e përdoruesve të rrugës, në 6 rastet specifike. Materialet procedurale për këto raste i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”.

“Për mosrespektim të radhës në qarkullim, janë ndëshkuar 76 drejtues mjetesh. Kjo shkelje krijon rrezik të drejtpërdrejtë për aksidente rrugore dhe shoqëruar me fluksin e lëvizjes, vështirëson qarkullimin normal”, njoftoi policia.

Gjithashtu, sipas policisë janë hequr me karroatrec, 53 automjete të parkuara gabim, masë e cila ka liruar hapësira publike dhe ka hequr pengesa për lëvizjen e mjeteve të transportit.

Policia Rrugore apelon sërish, për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin drejtimin e mjetit në efektin e alkoolit dhe të tregojnë kujdes dhe përgjegjshmëri gjatë lëvizjes në rrugë, pasi siguria rrugore është detyrim dhe përgjegjësi e përbashkët.