Nga Italia, në Qipro dhe drejt Shqipërisë/ Call center-at mashtrues zbërthehen nëpërmjet infiltrimit, Koplikaj: Një i ri italian punoi atje për dy ditë...


Investigimi i emisionit italian “Le Iene” në bashkëpunim me emisionin investigativ 'Piranjat' ka 'hedhur dritë' mbi mashtrimet e call center-ave të nisura nga Italia, drejt Qipros dhe më pas në Shqipëri.

Në studion e emisionit "Ora e Betit" autori i emisionit “Piranjat” dhe bashkëpunëtori i “Le Iene”, Taulant Koplikaj ka sjellë një zbardhje të skemës së errët të mashtrimit nëpërmjet call centerave.

Koplikaj ka treguar se hetimi ka nisur prej disa muajsh dhe fillimisht është fokusuar në territorin italian, ku janë identifikuar klientë të mashtruar nga call center-a që përdornin emra të kompanive të njohura financiare për të fituar besimin e tyre.

“Fillimisht kontakti bëhej në Itali, por më pas telefonatat kalonin në call center-a jashtë territorit italian dhe të Bashkimit Europian, kryesisht në Shqipëri, Qipro dhe Moldavi, ku kontrolli është më i dobët”, – shpjegoi Koplikaj.

Investigimi çoi ekipin e “Le Iene” fillimisht në Qipro, ku u zbuluan call center-a që qarkullonin shuma marramendëse, në vlerë miliona euro.

Sipas tij, drejtuesit e këtyre strukturave rezultuan të ishin shtetas italianë.

Njëri prej tyre ka dhënë një adresë të saktë në Shqipëri, e cila çoi hetimet në një kullë në qendër të Tiranës, përballë Kishës Ortodokse. Ky ishte hapi i tretë i investigimit.

Ai tregoi se në Shqipëri u infiltrua një i ri italian që arriti të punojë për dy ditë brenda ambienteve të call center-it, duke dokumentuar me prova gjithçka që ndodhte brenda.

Edhe pse u tërhoq për shkak të stresit dhe frikës, materialet e siguruara konsiderohen tejet të vlefshme.

“Ai ishte udhëzuar që të mos kryente mashtrime financiare, por të mbante bisedat jashtë këtij diskutimi, duke dokumentuar mënyrën e funksionimit”, – theksoi Koplikaj.

Fjala e Koplikajt:

“Historia me callcenter-at në Itali me emisionin ‘Il le Iene’ ka nisur prej disa muajsh. Ka të paktën 4-5 muaj që që ata investigojnë. Kanë nisur investigimin në territorin italian të call center-ave që janë, lë të themi kontakti i parë me klientët e mashtruar.

Pastaj janë disa call center-ave që operojnë kryesisht në zonën e jugut të Italisë, në zonën e Campagnias.

Truku është ky. Përdorin emra të kompanive të njohura, lë të themi të afirmuara në tregun e financave.

Pastaj kalohen në call center-a që janë jashtë territorit të Italisë. Kryesisht jashtë territorit të BE.

Si në Shqipëri, në Qipro, në Moldavi, pra në këto vende ku kontrolli është i pakët.

Më pas duke marrë kontakte me këta persona dhe duke folur me të ‘penduar’ nga këta call center-a, kanë arritur fillimisht të shkojnë në Qipro.

Janë drejtuar drejt Qipros dhe atje kanë arritur të marrin informacion të bollshëm për disa call center-a me shuma marramendëse. Miliona euro dhe operonin atje.

Personat që i drejtonin ishin italianë. Një nga këta persona italian ka arritur të jap një adresë të saktë në Shqipëri. Një emër të një personi dhe një adresë të saktë.

Adresa është kulla jeshile në qendër të Tiranës, përballë Kishës Ortodokse. Hapi i tretë  i këtij investigimi është Shqipëria.

Kanë infiltruar një person diku nga muaji nëntor, kanë marrë kontakte edhe me persona në Shqipëri  që kishin dijeni për call center-at.

Jo vetëm me ne gazetarët por edhe me personat që mund t’i ndihmonin juridikisht.

Kanë arritur të infiltrojnë këtë person, në atë pjesë kemi hyrë edhe ne. Kemi dhënë një ndihmë në distancë duke kontrolluar mbi gjithçka.

Ky djalosh i ri italian, ka arritur të punojë dy ditë, duke patur parasysh edhe ngarkesën e madhe edhe stresin edhe frikën. Është tërhequr pak përpara kohe, por edhe në ato dy ditë ka bërë një punë të shkëlqyer. Duke dokumentuar atë të gjithë që ndodhte brenda atyre ambienteve.

Duke pasur parasysh që ai nuk mund të bënte një lloj mashtrimi si të tjerët. Ai është udhëzuar që çdo bisedë me klientët të bëhet jashtë diskutimit financiar.”- tha ai.

FORTESA E PAKALUESHME

Pas mbledhjes së provave nga brenda, Koplikaj u shpreh se gazetarët u përballën me sfidën e hyrjes fizike në ndërtesë për të kapur mashtruesit.

“Kulla rezultoi një fortesë e vërtetë, me siguri të shumëfishtë, e ndikuar edhe nga prania e ambasadës së Izraelit në afërsi. Hyrja në ashensorë bëhej vetëm me karta të koduara dhe çdo lëvizje monitorohej. Përpjekjet e gazetarëve për t'u ngjitur në katin e 13-të dështuan për shkak të protokolleve strikte të sigurisë.

Në këto kushte, u kalua në 'Planin B': bashkëpunimi me autoritetet. Gazetarët, të këshilluar edhe nga palë të treta, vendosën t'i besojnë SPAK-ut si institucioni më i besueshëm në vend, duke depozituar një kallëzim zyrtar në datën 9 Janar, me shpresën se struktura e posaçme do të vepronte shpejt dhe në fshehtësi”, u shpreh gazetari Taulant Koplikaj.

A PATI TRADHTI?

Gazetari vijoi duke thënë se ndërhyrja në kullën ku gjendej kompania e mashtrimeve u planifikua për datën 17 janar.

“Gazetarët dhe agjentët e BKH-së ishin në pozicionet e tyre. Për të shmangur njoftimin e recepsionit, agjentët përdorën një strategji inteligjente duke klonuar kartën e ashensorit të një punonjësi.

Kjo u mundësoi atyre të ngjiteshin direkt në katin e 13-të pa u lajmëruar. Por, kur dyert u hapën, skena ishte shokuese: zyrat ishin plotësisht bosh. Tavolinat ishin pastruar dhe kompjuterat ishin zhdukur. Nga verifikimi i kamerave të sigurisë dhe pyetja e rojeve, rezultoi se pajisjet ishin hequr me urgjencë në orën 21:15 të natës së mëparshme.

Ky fakt konfirmoi dyshimet për një dekonspirim të rëndë të operacionit, duke lënë gazetarët dhe hetuesit përballë një dështimi të orkestruar nga rrjedhja e informacionit”, tha ai.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”