Arratisja e Altin Ndocit, Beqiri në “Epiqendër”: Kur krimi dëshiron të nxjerrë dikë jashtë, korrupsioni është mjeti kryesor

Ndërsa hetimet zyrtare vazhdojnë, ekspertët ligjorë kanë hedhur dyshime të forta se arratisja e Altin Ndocit nuk ishte thjesht rezultat i neglizhencës, por i një skenari të mirë-përgatitur që implikon bashkëpunëtorë brenda sistemit të burgjeve.

Në një debat të nxehtë në studion e emisionit “Epiqendër” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Sonila Musai, avokati Idajet Beqiri solli në vëmendje ngjashmëritë me arratisjet e famshme ndërkombëtare, si ajo e Alket Rizait në Greqi, për të ilustruar se kur krimi i organizuar dëshiron të nxjerrë dikë jashtë, korrupsioni është mjeti kryesor.

“Pika më e errët e kësaj historie mbetet vendimi për ta dërguar të burgosurin në një spital civil. Protokollet standarde diktojnë se trajtimi mjekësor për të paraburgosurit, veçanërisht ata të akuzuar për krime të rënda si vrasje, duhet të kryhet brenda Spitalit të Burgut në Tiranë. Ky institucion është i pajisur posaçërisht për të menaxhuar rreziqe të tilla.

Dërgimi në Spitalin Rajonal të Durrësit, një strukturë e hapur civile me qasje të lehtë për publikun dhe automjetet, përbën një shkelje flagrante të logjikës së sigurisë.

Nëse ke një person të rrezikshmërisë së lartë, nuk e çon te urgjenca e qytetit me dy policë. Kjo është ftesë për arratisje”, argumentoi Beqiri ekspertët.

Dyshimi kryesor është se vizita mjekësore mund të ketë qenë e fabrikuar ose e manipuluar si pretekst. Për më tepër, fakti që 'sulmi' ndaj gardianit ishte minimal dhe rezultoi kaq efektiv, ngre pikëpyetje nëse rezistenca e oficerëve ishte reale apo teatrale.

Në raste të tilla, shpesh aplikohet skema ku gardianët 'bien dakord' të marrin një goditje të lehtë për të justifikuar paaftësinë e tyre për të vepruar, në këmbim të shumave të majme parash.

Kjo ngjarje rikthen në vëmendje fenomenin e rrezikshëm të korruptimit të niveleve të ulëta të policisë, të cilët, të gjendur përballë ofertave financiare që tejkalojnë pagat e tyre shumëvjeçare, bëhen hallka të dobëta në zinxhirin e sigurisë kombëtare.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR”