Banorët e Taç Lartë dhe Prodan në protestë kundër centralit fotovoltaik: Na kanë marrë kullotat, po na zhduket blegtoria

Banorët e fshatrave Taç Lartë dhe Prodan në Bashkinë Kolonjë kanë dalë në protestë kundër ndërtimit të një centrali fotovoltaik, duke pretenduar se projekti u ka zaptuar në mënyrë të paligjshme kullotat, të cilat përbëjnë burimin e vetëm të jetesës së tyre.

Sipas banorëve, mbi 400 hektarë tokë kullotë, të përdorura ndër vite nga të dy fshatrat për blegtori, janë përfshirë në projektin për vendosjen e paneleve fotovoltaike, çka rrezikon seriozisht vazhdimësinë e jetës në zonë. Ata flasin për mbivendosje pronash dhe lëvizje të kufijve në hartat kadastrale, duke theksuar se kufijtë aktualë nuk përputhen me ndarjet tradicionale të pronës.

Projekti për ndërtimin e centralit fotovoltaik me kapacitet 62 megavatë është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave më 25 qershor 2025 dhe po zbatohet nga shoqëria “Fortis Energy and Construction” sh.p.k., në pronësi të Mehmet Burak Uçkardes. Sipas vendimit, projekti nuk është koncesionar dhe nuk përfiton nga skemat mbështetëse, ndërsa afati i ndërtimit është përcaktuar 3 vite.

Banorët shprehen se nuk kanë pasur informacion të plotë mbi lejet mjedisore, bashkiake apo studimin arkeologjik, ndërsa thonë se punimet kanë nisur me shpime në terren. Ata paralajmërojnë se ndërtimi i centralit do të thotë fundi i blegtorisë dhe largimi i detyruar i familjeve nga zona.

“Ne vetëm me blegtori jetojmë. Nëse na marrin kullotat, fshati shuhet. Do të detyrohemi të ikim”, shprehen banorët, të cilët kërkojnë rishikim të projektit dhe sqarim të kufijve pronësorë.

Sipas vendimit qeveritar, kompania ka detyrim që një pjesë të energjisë së prodhuar t’ia japë falas ministrisë përgjegjëse për energjinë, ndërsa protesta e banorëve pritet të vijojë nëse nuk gjendet një zgjidhje.