Kë prek pezullimi i vizave amerikane? Cenkollari: Trump po kufizon emigrimin e paligjshëm
Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar një vendim të ri që prek lëshimin e vizave emigruese, duke përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve të ndikuara.
Duke filluar nga data e përcaktuar, pezullimi do të ndikojë kryesisht individët që synojnë të zhvendosen përgjithmonë në SHBA. Kategoritë më të prekura janë fituesit e Lotarisë Amerikane (Green Card), ata që presin bashkim familjar, si dhe rastet e martesave.
Sipas gazetares Klementina Cenkollari, ky vendim është pjesë e politikave të administratës Trump për të kufizuar emigracionin që mund të kthehet në kosto financiare për shtetin.
E ftuar në hapësirën “Për Shqiptarët” në “Ora News” Cenkollari u shpreh se gjatë vitit të kaluar janë lëshuar mbi 1 milion Green Cards, por parashikohet që rreth 315,000 individë të preken nga ky pezullim në vitin e ardhshëm.
“Ky pezullim ndikon tek aplikantët që synojnë të vijnë të jetojnë në mënyrë të përhershme në SHBA, përfshirë edhe individët që kanë qenë të kualifikuar për të marrë një green card, apo ata që synojnë të jetojnë në SHBA përmes martesave. Gjatë vitit të kaluar janë dhënë më shumë se një milion green card.
Trump po kufizon emigrimin e paligjshëm. Kriteret e reja përfshijnë gjithashtu një vlerësim më të rreptë të shëndetit dhe historikut të përfitimit të ndihmës sociale" u shpreh ajo.
RREGULAT E REJA
Për qytetarët që janë në proces e sipër të aplikimit për vizë amerikane, situata paraqitet komplekse.
Gazetarja Cenkollari sqaron se ata që e kanë marrë fizikisht vizën në pasaportë nuk preken nga pezullimi.
“Megjithatë, individët të cilëve u është miratuar viza por nuk e kanë tërhequr ende atë, rrezikojnë të preken nga pauza e lëshimit të vizave. Takimet në ambasadë mund të vazhdojnë të realizohen, por zyrtarët konsullorë nuk do të lëshojnë viza emigruese gjatë periudhës së pezullimit. Përveç kësaj, udhëzimet e reja parashikojnë kritere shtesë gjatë intervistave, përfshirë domosdoshmërinë e njohjes së gjuhës angleze dhe kontrolle të rrepta mbi gjendjen shëndetësore. Sëmundjet kronike apo problemet e shëndetit mendor mund të konsiderohen faktorë penalizues nëse vlerësohet se do të rëndojnë sistemin shëndetësor amerikan”, sqaroi Cenkollari.
VIZAT TURISTIKE NËN LUPË
Edhe pse pezullimi kryesor prek vizat emigruese, vizat turistike (jo-emigruese) nuk i kanë shpëtuar ashpërsimit të rregullave. Një udhëzim i ri kërkon që zyrtarët konsullorë të vlerësojnë me kujdes nëse një aplikant për vizë turistike ka gjasa të kërkojë shërbime publike apo ndihmë sociale gjatë qëndrimit në SHBA. Nëse ka dyshime, aplikantëve mund t'u kërkohen dokumente shtesë financiare, si llogari bankare, deklarata të ardhurash dhe dëshmi kursimesh. Kjo masë synon të parandalojë të ashtuquajturin 'turizëm të lindjes' ose shfrytëzimin e sistemit social amerikan.
Gazetarja thekson se Shqipëria është pjesë e listës së 75 vendeve me rrezik më të lartë për këtë fenomen. Diskutimi mbyllet me një analizë të kontekstit politik në SHBA dhe masave të vazhdueshme të administratës për të kontrolluar kufijtë dhe emigracionin e paligjshëm.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË:


