Kishte përshtatur lokalin për lojëra fati në Tiranë/ Vihet në pranga 37-vjeçari
Tiranë/Vijojnë kontrollet në kuadër të operacionit policor të koduar “Bet”, për goditjen e rasteve të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Vihet në pranga administratori i një lokali ku organizoheshin lojëra fati.
Sekuestrohet 1 celular.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bet”, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara. Si rezultat i kontrolleve është evidentuar një rast i kësaj veprimtarie.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Z., 37 vjeç, pasi në lokalin që ai administronte, në rrugën “Kole Koçi”, organizoheshin lojëra fati. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një celular që u gjet në lokal, i cili përdorej për këtë veprimtari të paligjshme.
