Pastrimi i mesnatës i burgut, avokati: Fakti që aty ndodheshin 27 persona të kategorisë së rrezikut të lartë është një anomali
Arratisja e profilit të lartë në Durrës ka shkaktuar një tërmet administrativ dhe operacional në sistemin e burgjeve shqiptare.
Në orët e vona pas ngjarjes, autoritetet ndërmorën një operacion masiv transferimi, duke pranuar në heshtje se Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Durrës nuk ofronte garancitë e duhura për mbajtjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sipas burimeve të konfirmuara në emision, menjëherë pas mesnatës, një autokolonë e blinduar policie kreu transferimin e 15 të burgosurve 'VIP' dhe me rrezikshmëri të lartë nga Durrësi drejt Burgut të Peqinit, një institucion i sigurisë së lartë. Ky veprim erdhi pas një analize të shpejtë që e klasifikoi burgun e Durrësit si 'të pasigurt'.
Transferimi u krye nën masa rrepta sigurie, duke përfshirë forca të shumta policore dhe protokolle të shtuara, për të shmangur çdo incident të mundshëm gjatë rrugës.
Në studion e “Epiqendër” në “Ora News”, avokati Roland Islami ngriti një çështje thelbësore juridike dhe administrative: klasifikimin e institucioneve.
Ai theksoi se burgu i Durrësit është de jure një institucion i sigurisë së zakonshme, shpesh i përdorur për paraburgim, dhe jo i dizajnuar për të mbajtur eksponentë të krimit të organizuar që kërkojnë mbikëqyrje maksimale.
“Fakti që aty ndodheshin 27 persona të kategorisë së rrezikut të lartë është një anomali administrative”, tha ai.
Ky reagim 'post-factum' i Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke shkarkuar zinxhirin komandues dhe duke zhvendosur të burgosurit, shihet nga analistët si një pranim i fajit për neglizhencë të zgjatur.
“Pse duhej një arratisje për të kuptuar se Durrësi nuk ishte vendi i duhur për këta individë? ”, argumentoi Islami
Debati ligjor u fokusua gjithashtu te statusi i të paraburgosurve. Ndërsa ligji kërkon që personat nën hetim të jenë të ndarë, praktika e mbajtjes së tyre në struktura të papërshtatshme ka krijuar 'bombed me sahat' për sigurinë publike, njëra prej të cilave shpërtheu pikërisht me rastin Ndoci.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR”

