Ilir Beqaj kërkon të ketë kompjuter brenda në qeli/ Drejtoria e Burgjeve ia mohon kërkesën: Nuk kemi infrastrukturën e duhur

Drejtoria e Burgjeve i ka kthyer përgjigje Gjykatës së Posaçme, lidhur me kërkesën e ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqajt, për të lexuar fashikujt hetimore për dosjen e sterilizimit, përmes një kompjuteri të pa lidhur me internetin.

Në përgjigje, Drejtoria e Burgjeve thotë se nuk e ka infrastrukturën e nevojshme për ta realizuar.

Në një dhomë në Gjykatën e Posaçme të mbuluar me dosje, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, sillet çdo ditë nga paraburgimi i Durrësit për të studiuar materialet hetimore të SPAK kundër tij.

Por kjo mënyrë, sipas ish-ministrit nuk është një akses reale për tu njohur me aktet, të vlefshme për procesin gjyqësor të nisur ndaj tij për dosjen e “Sterilizimit”.

Sipas tij, Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale nuk u lejojnë të paraburgosurve përdorimin e kompjuterëve pa internet, edhe pse ligji dhe rregullorja në fuqi sipas tij, nuk e ndalojnë shprehimisht një gjë të tillë.

Beqaj i ka bërë thirrje më herët Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe institucioneve të drejtësisë të reagojnë, duke theksuar se pa akses në dosje, mbrojtja rrezikon të mbetet vetëm formale.

Ndër të tjera, Beqaj ka deklaruar se proceset penale po zhvillohen mbi mijëra faqe materiale elektronike që SPAK ia dorëzon avokatëve, por që vetë të pandehurit në paraburgim nuk kanë mundësi t’i lexojnë, përsakohë nuk i lejojnë as një laptop.