ARRATISJA NË DURRËS/ Gazetarja Albana Aliaj tregon dinamikën se si u thye siguria në 120 sekonda
Detajet e reja që dalin në dritë rreth arratisjes së Altin Ndocit nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit zbulojnë një planifikim të sofistikuar dhe një dështim total të protokolleve të sigurisë publike.
Sipas raportimit nga gazetarja Albana Aliaj në emisionin “Epiqendër” në “Ora News”, ngjarja u zhvillua me shpejtësi marramendëse, duke shfrytëzuar një moment dobësie institucionale ndërkohë që policia ishte e angazhuar në festimet e përvjetorit të saj.
“Ngjarja, e cila ndodhi dy ditë më parë rreth orës 12:00 të mesditës, filloi si një vizitë rutinë mjekësore. I paraburgosuri Ndoci, i shoqëruar nga tre oficerë të policisë së burgjeve, u dërgua në repartin e infektivit.
Pika e kthesës ishte kërkesa e të burgosurit për të përdorur tualetin, një taktikë e njohur që shpesh shërben për të krijuar distancë fizike nga rojet.
Në momentin e daljes, situata precipitoi dhunshëm: Ndoci goditi me grusht njërin nga gardianët, duke krijuar konfuzionin e nevojshëm për të vrapuar drejt daljes.
Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë në vendngjarje përshkruajnë një arratisje që zgjati vetëm rreth 30 sekonda vrapim deri në momentin e hipjes në mjet. Një detaj kritik është përdorimi i një automjeti të tipit 'Audi' me targa 'A 700 RS', i cili po priste në parkingun e maternitetit, ngjitur me repartin infektiv. Kjo konfirmon se arratisja nuk ishte oportune, por e parakoordinuar me saktësi.
Shoqëruesit e Ndocit, edhe pse tentuan ta ndiqnin dhe njëri prej tyre qëlloi me armë në ajër (sipas raportimeve fillestare, megjithëse detajet mbi përdorimin e armës mbeten për t'u sqaruar plotësisht nga hetimi balistik), dështuan ta ndalonin atë.
Fakti që bashkëpunëtorët e Ndocit paguan tarifën e parkimit (një shumë prej 100 lekësh të reja ose 1000 të vjetra) dhe pritën me gjakftohtësi, tregon nivelin e lartë të sigurisë që kishin kriminelët në suksesin e operacionit të tyre.
Policia e Shtetit u vu në ndjekje të automjetit vetëm pasi ai ishte larguar, duke ngritur pyetje mbi shpejtësinë e komunikimit midis Policisë së Burgjeve dhe asaj të Rendit në raste emergjence”, tha gazetarja Albana Aliaj.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "EPIQENDËR"

