‘Kemi 3 ditë pa rreze’/ Pacientët e Onkologjikut - Ramës: Po luftojmë me kancerin! Stafa: 100 pacientë në ditë shkojnë për trajtimin…

Prej 3 ditësh, pacientët që vuajnë nga kanceri dhe që do të duhet të bëjnë rreze në spitalin Onkologjik, e kanë të pamundur ta marrin shërbimin. 

Denoncimi vjen nga gazetari Osman Stafa, që sipas tij, prej 3 ditësh 2 akserelatorët e vetëm që ndodhen në atë spital, nuk punojnë. Kjo për shkak se njërit prej bunkërëve i është prishur dera, dhe tjetri ka probleme me funksionalitetin.

Sipas gazetarit janë rreth 100 pacientë në ditë që shkojnë në spitalin Onkologjik për të bërë radioterapi (rreze), siç e parashikon edhe protokolli.

Vetë pacientët thonë se ndodhen në një situatë të vështirë, për shkak se lufta e tyre ndaj kancerit është ndalur.

“Erdha dje, aparati I prishur. Erdha sot, aparati I prishur. Edhe sa do vuaj unë, paguaj makinë, të më marrë, të më çoj, për të bërë një rreze. I lutem Kryeministrit të vërë dorë, sepse ne po luftojmë për jetën. Doktori thotë që nëse nuk I bëj rrezet, s’do këtë efektin e duhur. Nuk e mendoja se do të vija në Onkologjik, ma pruri Zoti, por të paktën të na ndihmojë robi. I lutem Kryeministrit, se erdhi para 10-15 ditësh në Onkologjik për të na parë, të na bëj një spital të ri, sepse ne po bëjmë luftë me jetën tonë. Do kthehem në shtëpi, e nesër do të vi prapë. Do vi sepse nuk kam çfarë të bëj. Do luftoj që të rroj, aq sa të ma japë Zoti”, shprehet pacientja.

E njëjta situatë është edhe për një zotëri nga Malësia e Madhe, i cili shprehet se prej 3 ditësh nuk po bën rreze, pasi i thonë se pajisja është e prishur.

“Jam prej Malësisë së Madhe, kam ardhur të bëj rreze, dhe më thonë që s’punon. Bëj përgjegjës qeverinë. Jemi të mbaruar kështu”, theksoi ai.