Rrëshqitje dherash në Gjirokastër/ Prefekti: Bllokim i segmenteve rrugore veçanërisht në zonat rurale

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar problematika edhe në qarkun e Gjirokastrës, duke sjellë rrëshqitje dherash dhe bllokime të përkohshme të disa segmenteve rrugore, kryesisht në zonat rurale.

Lidhur me situatën, Prefekti i qarkut Gjirokastër ka reaguar përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ku ka bërë të ditur se strukturat përgjegjëse janë në terren dhe po punojnë për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë për qytetarët.

“Si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë, situata në qarkun Gjirokastër është shoqëruar me problematika të ndryshme, kryesisht rrëshqitje dherash dhe bllokime të përkohshme të disa segmenteve rrugore, veçanërisht në zonat rurale.

Strukturat vendore dhe institucionet përgjegjëse kanë qenë në terren dhe në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës. Prefekti i qarkut ka ndjekur nga afër problematikat, në bashkëpunim me të gjitha institucionet, për koordinimin e burimeve njerëzore dhe mjeteve, si dhe për garantimin e funksionalitetit të akseve rrugore kryesore.

Thirrje për qytetarët:
Të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht në zonat problematike.

Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri”, shkruhet në njoftim.