Qarku i Shkodrës "pushtohet" nga uji/ Reshjet përmbysin banesa dhe raportohet rritja e nivelit në lumenjtë Buna, Drin dhe Kir

Prefektit të Qarkut Shkodër njofton se gjatë 24 orëve të fundit, territori i qarkut është përfshirë nga reshje intensive shiu.

Sipas informacionit nga DRUK Lezhë, lumenjtë dhe përrenjtë kanë pasur rritje të prurjeve, por deri tani nuk janë konstatuar problematika serioze në kanalet kulluese, argjinaturat apo digën e Rezervuarit Shtodër.

Nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir dhe Gjadër janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje, ndërsa hidrovoret e Velipojës, Vilunit dhe Cas janë në funksion me kapacitet të plotë dhe në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme.

Në Bashkinë Vau i Dejës, reshjet e shiut janë të forta dhe është raportuar një banesë me prezencë uji në fshatin Hoten, ku banorët kanë marrë ndihmë të menjëhershme nga grupet e Emergjencave Civile.

Në Bashkinë Malësi e Madhe, reshjet vazhduan gjatë natës dhe disa zona, si fshati Flakë, mbeten të bllokuara nga prurjet e përroit, ndërsa në Rrazë dhe Veshtë uji nuk paraqet rrezik për banesat.

Po punohet për rivendosjen e energjisë elektrike në zonën e Kelmendit dhe për hapjen e kalueshmërisë së rrugës pranë lumit në Dragovojë.

Në Bashkinë Fushë-Arrëz janë regjistruar shkarje dherash dhe rënie gurësh në disa rrugë, por pa dëme për banorët.

Edhe në Bashkinë Shkodër reshjet e shiut kanë qenë intensive, ndërsa grupet e Emergjencave Civile po kryejnë inspektime të vazhdueshme dhe monitorim të situatës.

Nga aspekti hidrike, prurjet natyrore në Kaskadën e Drinit arrijnë 3500 m³/s, duke treguar një situatë të qëndrueshme.

Nivelet e liqeneve janë: Fierza 281.2 m, Koman 174.2 m dhe Vau i Dejës 75 m, ndërsa shkarkimet nga hidrocentralet janë të kontrolluara (HEC Vau i Dejës 700 m³/s dhe HEC Koman 700 m³/s).

Prefekti i Qarkut Shkodër vijon monitorimin e situatës në koordinim me të gjitha strukturat vendore dhe qendrore për menaxhimin e emergjencave dhe ndërhyrje të shpejta në rast nevoje.