Lumi Ishëm DEL nga shtrati, përmbyt tokë bujqësore dhe bllokon lagje në Murqinë e Mallkuçit
Lumi Ishëm ka dalë nga shtrati në pikat më të dobëta në fshatin Murqinë e Mallkuçit, duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore dhe duke bllokuar dy lagje të këtij fshati.
Situata vijon të jetë problematike për shkak të mosfunksionimit të kanaleve kulluese, duke prekur edhe fshatrat Bubqi, Gramza, Derveni, Luzi, Malkuçi, Murqina dhe Bilaj.
Përveç tokës bujqësore që ndodhet nën ujë, rrugë dhe akse të ndryshme janë të përmbytura, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve dhe transportin në këto zona.
Deri tani nuk ka ndërhyrje nga strukturat e bashkisë, prefekturës apo grupet e emergjencave civile, dhe situata mbetet e pa përmirësuar.
Ndërsa reshjet kanë ndaluar për momentin, parashikimet meteorologjike tregojnë se ato mund të rifillojnë, duke rritur rrezikun për zonat e përmbytura.
Banorët dhe fermerët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për hapjen e kanaleve kulluese dhe për mbrojtjen e tokave bujqësore, ndërsa autoritetet duhet të vendosin masa emergjente për të parandaluar dëme më të mëdha.
