Moti i keq/ Shirat dëmtojnë disa biznese në Kurbin, aksi Mamurras-Laç prej 2 orësh i bllokuar
Moti i keq me reshje të dendura shiu, që përfshiu vendin mëngjesin e kësaj të marte ka shkaktuar problematika edhe në zonën e Kurbinit.
Sipas raportimeve, reshjet e dendura kanë bërë që në Mamurras rrugët të kthehen në lumenj, ndërsa banesat janë të rrethuara nga uji.
Gjithashtu raportohet për dëme në disa biznese. Probleme janë shfaqur në fshatrat Gjorëm, Zhejë, Fushë Mamurras, në zonën e Sanxhakut të Laçit.
Aksi rrugor Mamurras- Laç është bllokuar për rreth dy orë, duke krijuar një situatë kaosi nga prurjet e mëdha. Ndërkohë niveli i Lumit Drojë është në kuotat maksimale, rrezikon daljen nga shtrati.
Probleme u raportuan gjatë ditës edhe në Durrës dhe qytete të tjera të vendit, ndërsa meteorologët kanë paralajmëruar se situata me reshjet pritet të përkeqësohet në ditët në vijim.

