Debutim ëndrrash për Balën, shënon golin e fitores
Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, Bekim Bala, pas eksperiencës me Sparta Praga vitin e kaluar, këtë sezon është bërë pjesë e skuadrës së Jagielonia Bialystok në Poloni, ku është huazuar për një vit. 22-vjeçari shkodran ka bërë të pamundurën gjatë fazës përgatitore për të fituar besimin e trajnerit Piotr Stokoviec. Falë performancës së tij të parë pa dyshim ai ka fituar jo vetëm besimin e klubit, por edhe të fansave. Bala e ka nisur aventurën e tij të re në kampionatin polak me një superdebutim.Trajneri Stokoviec ia besoi sulmin Piatkovskit, por deri në minutën e 67-të loja ishte e balancuar nga të dyja krahët. Mirëpo duke qenë se kampi ofensiv po çalonte, trajneri i Jagielonias e përforcoi sulmin duke aktivuar në minutën e 67-të talentin shqiptar, i cili zëvendëson David Plizgan.Me talentin dhe aftësitë e tij dribluese, sulmuesi shkodran bëri disa lëvizje spektakolare duke mahnitur 9 mijë të pranishmit në stadiumin e Zaviza Bydgozni. Teksa vendasit ishin të fokusuar më shumë te mbrojtja, në minutën e 77- të doli me karton të kuq lojtari i tyre, Hermes, i cili i prishi planet trajnerit dhe balancat ekipit. Por, mjaftuan 60 sekonda që miqtë e Jagielonias të shfrytëzonin diferencën numerike dhe të organizonin një kundërsulm të shpejtë me dy sulmuesit Bekim Bala dhe Piatkovski.Ky i fundit mori krahun e djathtë dhe pasoi në qendër te sulmuesi shqiptar, i cili me saktësi e çoi topin drejt e në rrjetë, duke e nisur kështu aventurën me gol dhe fitore në Poloni.Mjaftoi goli i Balës për t’i dhënë ekipit tri pikët dhe për të marrë kreun në javën e parë të kampionatit.