Ligji për barazinë gjinore/ Ambasadorja e Francës: S’ka direktivë të posaçme të BE-së për ligjin

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, ka folur këtë të hënë në lidhje me debatet mbi ligjin e barazisë gjinore që u kalua pak ditë më parë në Kuvend me votat e mazhorancës.

Në një dalje për mediat, Suard theksoi se respektimi i të drejtave të njeriut dhe barazisë është një vlerë thelbësore e Bashkimit Europian, ndërsa shtoi se mbi këtë ligj nuk ka direktivë të posaçme të BE-së.

“Ajo që mund të them është që të drejtat e njeriut, mosdiskriminimi kundrejt çdo lloj njeriu dhe popullsie dhe barazia e gjinive janë vlerat thelbësore të bashkimit europian. Nuk ka një direktivë të BE, të gjitha tekstet e BE mbrojnë të drejtat njerëzore dhe mungesën nga diskriminimi, është zemra e të drejtës në BE dhe është zemra e diplomacisë franceze gjithashtu.

Raporti që u publikua së fundmi ishte shumë pozitiv, ku u nënvizua dhe nga autoritetet e tjera dhe komisioneria e Natos, edhe nga përfaqësues të tjerë të BE, përfaqësues të politikës së jashtme, kryeministri, ambasadori i BE në Shqipëri. Po, është një raport pozitiv që tregon progresin dhe merr parasysh gjithë progresin e paprecedentë që është bërë deri tani në raport me Shqipërinë. Ajo që është e qartë është gjithashtu se kjo qasje duhet të vazhdojë deri në të ardhmen duke inkurajuar reformat e duke vazhduar në këtë rrugë. Është akoma e nevojshme që të shkojmë edhe më larg se sa kemi ecur deri tani.

Përtej teksteve ligjore është çështja e zbatimit të këtyre reformave dhe ligjeve. Kontrolli dhe mënyra se si do të aplikohet kjo normë dhe këto ligje tek qytetarët dhe aktorët e ndryshëm, përfshirë dhe ata ekonomikë, ka ende shumë për tu bërë. Jam shumë besimplotë me faktin që Shqipëria është në gjendje të arrijë objektivat e saj dhe ne jemi në dispozicionin e saj për ta ndihmuar por është një punë shumë e vështirë. Duhet që të gjithë të kontribuojnë, klasat politike dhe gjithë parlamenti

SPAK është rezultati emblematik i reformës së drejtësisë në Shqipëri. Është një mjet i jashtëzakonshëm i cili është zhvilluar shumë dhe sot është një mjet që jep një indikator të rëndësishëm ndaj sistemeve tona të drejtësisë. Nuk është vetëm një institucion që merr informacione nga jashtë por është një institucion që është kthyer tashmë partner i plotë me sistemet tona të sigurisë, informacionit të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar.

Pra, është një rezultat i jashtëzakonshëm që varet shumë edhe nga personaliteti që ka në krye dhe shpresoj se do të vazhdojë edhe me ndryshimet e fundit të drejtuesve të SPAK”, deklaroi Catherine Suard.