5-0, Berisha asnjë fjalë për rezultatin dramatik të Opozitës: Në parlament po privohemi nga e drejta jonë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij të hapur para deputetëve demokratë, nuk dha asnjë koment për rezultatin tejet zhgënjyes që kandidatët e mbështetur nga opozita arritën në zgjedhjet e pjesshme vendore të kësaj të diele.

Por Berisha preferoi që të akuzonte mazhorancën, se po i privon opozitës të drejtën e saj kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.

FJALA E BERISHËS

Mblidhemi sot në këtë mbledhje jashtë radhe apo të jashtëzakonshme të grupit parlamentar për shkak të një situate të jashtëzakonshme në të cilën ne ndodhemi për shkak të vendosmërisë të pandalshme të narkoqeverisë për të shtypur me të gjitha potencialet opozitën dhe opozitarizmin.

Për ta shndërruar atë në një vegël apo në një instrument pa vlerë për asnjë funksion për qytetarët, mbrojtjen e interesave të tyre, për t’ia mbyllur asaj gojën, de facto për ta asgjësuar atë politikisht si forcë politike parlamentare.

Ne jemi dëshmitarë që me seancën e fundit u bënë 10 seanca parlamentare në të cilat qeveria në 9 prej tyre i mohoi opozitës çdo debat për çdo çështje që erdhi në parlament, duke filluar nga programi i qeverisë, miratimi i Këshillit të Ministrave, duke përfunduar tek miratimi i buxhetit dhe çdo gjë tjetër.

Ju jeni dëshmitarë sepse në 10 seanca ka pasur vetëm një seancë me debat dhe kjo ka qenë seanca ku është diskutuar për institucionet e drejtësisë.

Janë kaluar ligje, projektvendime, akte normative dhe në asnjërën prej tyre në mënyrë absolute nuk është lejuar opozita të debatojë, të marrë fjalën, të paraqesë mendimet, të mbrojë interesat e zgjedhësve të saj që kanë votuar kundër një qeverie si kurrë ndonjëherë në historinë 33-vjeçare të parlamentit pluralist.

Nuk ka ndodhur kurrë sepse nuk mund të ndodhë si rregull.

10 seanca parlamentare ku vetëm në njërën opozita ka pasur mundësi të shprehet.

Dhe, të mos harrojmë, 10 seanca parlamentare të paraprira nga qindra mbledhje komisionesh, në të cilat opozita ka marrë pjesë në mënyrën më serioze. Në të cilat opozita është përkushtuar me seriozitetin më të madhe për të paraqitur objeksionet, sugjerimet, propozimet për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

Pra, me gjithë këtë punë shumë serioze që ju keni bërë në komisionet parlamentare- dhe më serioze shumë se puna e të tjerëve- por kur vjen puna pas komisioneve në aulën e parlamentit, Edi Rama urdhëron të mbyllë mikrofonat për opozitën.

Me gjithë kontrollin e jashtëzakonshëm që ka në media, kontrollon më shumë, më lehtë lajmet që dalin nga komisionet parlamentare, por rikthimi apo mbyllja i veprimtarisë në komisione, një veprimtari shumë serioze e deputetëve të opozitës, has në asgjësimin e të drejtës së tyre për të debatuar për ligjet, për projektet, për vendimet që janë miratuar në ato komisione. Që janë hedhur poshtë në ato komisione.

Janë bërë 10 seanca në të cilat si kurrë ndonjëherë në histori, ministrat nuk lejohet të vijnë në interpelanca.

Janë bërë 10 seanca që refuzohet çdo mocion me debat. Të drejta të sanksionuara në Kushtetutë këto për opozitën.

Janë bërë 10 seanca, refuzohen në mënyrë antikushtetuese të gjitha kërkesat e opozitës për komisione hetimore parlamentare.

Pra, opozita privohet jo vetëm nga e drejta, por nga detyra e saj themelore për të kontrolluar ekzekutivin, për të kontrolluar zbatimin e ligjit.

Nuk mund ta kryejë këtë.

Në tërësi ministrat nuk refuzojnë vetëm interpelancat, por refuzojnë edhe paraqitjen para komisioneve.

Dhe nxjerrin mbi parlamentin ata që nuk mund të jenë kurrë, zëvendësministrat apo drejtorët.

Në parlament, deputetëve u mohohen të drejtat më themelore që Kushtetuta dhe rregullorja e parlamentit u garanton atyre.

Opozita trajtohet si një vasale e partisë-shtet me të cilën ajo mund të bëjë ç’të dojë.

Ndodhin ngjarje të jashtëzakonshme, shqiptarët panë me dokumente se si Edi Rama me Belinda Ballukun bëjnë pazaret më të ndyra në kurriz të tyre, me tendera që shkojnë 200 milionë euro në tunelin e Llogarasë, pa respektuar asnjë nen të ligjeve të këtij vendi.

Se si gjithçka vendoset në vizitat e tyre në Ankara, në takim me kompani.

Dhe se si e njëjta kompani, që përdoret për tunelin e Llogarasë, përdoret për aeroportin e Vlorës për të njëjtat qëllime, të njëjtat mekanizma.

Në çdo vend të botës, kryeministri jep dorëheqjen para një skandali të tillë.

Nuk duhet të them kurrë se Belinda Balluku është e pafajshme, përkundrazi më vjen keq që jam detyruar t’ia ndërroj emrin nga Belindë në Lubi – dhe kam bërë mirë- sepse njeri më të papërmbajtur mbi tokë për vjedhje e hajni nuk ka.

Por ajo, shumicën i ka për llogari dhe së bashku me Edi Ramën.

Po, të faktuara tashmë.

Cili është qëndrimi i Edi Ramës ndaj këtyre superskandaleve?

Tunelit të Llogarasë, në të cilin kompania që ofroi 130 milionë euro, iu dështua tenderi për ta fituar kompania turke me 180 milionë euro, për të shtuar 50 milionë.

Dhe nuk janë 50 milionë, janë absolutisht 90 milionë, sepse vetëm urat që nuk i ka ndërtuar janë në preventiv dhe tender 20 milionë.

Me një fjalë, në total tuneli shkon 230 milionë.

Por një gjë është, tunelin, Lubia e ka kontraktuar, siç thotë, me urdhër të Edi Ramës.

Dhe e vërteta, u them dy gjëra tani.

E vërtetë është se kjo i ka bërë të qartë Edi Ramës se do ta marrë me vete në qoftë se e lëshon.

Dhe tani unë do t’u informoj ju për mbledhjen top-sekret që u zhvillua në selinë e PS.

Në atë mbledhje, janë mbledhur deputetët dhe drejtuesit për Tiranën.

Në atë mbledhje Edi Rama u ka bërë të qartë atyre se drejtuese e qarkut të Tiranës do jetë Lubi Balluku.

Dhe se Skapi i partisë ka sulmuar Partinë Socialiste dhe ka sulmuar Edi Ramën se aty nuk qëndron dhe se të gjithë problemin e kanë tek unë. E kanë tek ai.

Prandaj Belinda është vetë pafajësia, beteja që na bëhet është politike dhe ju vazhdoni punën duke pasur Belindën në krye, Lubinë në krye për Tiranën.