Sulmet ndaj Ambasadorit Gonzato, Berisha përjashtohet 10 ditë nga Kuvendi

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesën e PS që kërkon masë disiplinore për Sali Berishën.

Është vendosur që Sali Berisha të përjashtohet 10 ditë nga punimet e Kuvendit.

Vendimi është arsyetuar me argumentin: “Shkelje e nenit 6 të kodit të sjelljes dhe nenit 1 të ligjit nr.10221/2010 për mbrojtjen nga diskriminimi pasi ka targetuar dhe fyer një grup të caktuar”.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kërkoi përjashtimin e Sali Berishës nga Kuvendi me 30 ditë, pas deklaratës që kreu i PD bëri për qëndrimin e ambasadorit Silvio Gonzato ndaj ligjit për barazinë gjinore.