Ngrihet grupi i punës për Paketën e Medias
Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik vendosi sot ngritjen e grupit të punës për Paketën e Medias.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit u miratua grupi i punës i përbërë nga Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit, Iris Luarasi nënkryetare dhe Ardit Bido sekretar.
Nënkryetarja e këtij komisioni, Iris Luarasi tha se “anëtarëve do t’u vihet në dispozicion paketa e ardhur nga Platforma e Dialogut, e cila ka një vit që funksionon dhe është një platformë e ngritur nga Këshilli i Evropës, me mbështetjen e Delegacionit të BE-së në Shqipëri”.
“Kjo platformë është zbatuar nga departamenti i Gazetarisë së Komunikimit në Universitetin e Tiranës, deri tani janë bërë 9 takime me të gjitha grupet e interesit që kanë lidhje me Paketën e Medias”, theksoi Luarasi.
Luarasi informoi se ky informacion ka ardhur zyrtarisht të enjten pranë Kuvendit.
“E gjithë paketa me gjithë rekomandimet do t’iu vihet në dispozicion të gjithë anëtarëve të Komisionit. Grupi i punës në bashkëpunim me pjesën e këshilltarëve që do të miratohet edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, do të punojë me paketa të vogla që kanë lidhje me ndryshimet për ligjin e medias në Shqipëri që janë edhe pjesë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Luarasi.

