Humbi në Berat përballë kandidatit të PS, reagon Shkarpa: Do vazhdojmë të luftojmë

Pas humbjes në zgjedhjet e pjesshme lokale për Bashkinë e Beratit, kandidati i pavarur i mbështetur nga opozita, Pavlo Shkarpa, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale.

Në një reagim në rrjetet sociale, Shkarpa ka falënderuar të gjithë votuesit dhe mbështetësit e tij, si dhe militantët e Partisë Demokratike për angazhimin dhe mbështetjen gjatë fushatës.

“Një falënderim i veçantë për 2,607 votuesit që mbështetën emrin tim – qëndrestarët demokrat, familjarët, miqtë dhe të gjithë dashamirësit e kauzës sonë. Së bashku ndërtuam një komunitet mbështetësish të pasionuar, sollëm në qendër të vëmendjes çështje të rëndësishme dhe frymëzuam biseda që do të formësojnë të ardhmen tonë. Çdo hap që hodha ishte një hap përpara për vlerat që besoj dhe për dashurinë time për Beratin,” – shkruan Shkarpa.

Ai i ka uruar suksese kryetarit të ri të zgjedhur të Bashkisë, Ervin Ceca, duke shpresuar që ai të punojë “me vizion, dashuri dhe pa varësi partiake” për të mirën e qytetarëve të Beratit ndërsa shprehet se nuk do të dorëzohen por do të vazhdojnë luftën për të mirën e qytetit.

“Drita e premtimit të Beratit do të vazhdojë të shkëlqejë, për sa kohë që nuk dorëzohemi dhe vazhdojmë të luftojmë,” – përfundon reagimin e tij Pavlo Shkarpa.

Kujtojmë se në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Beratit, Partia Socialiste fitoi me 83.35% të votave (13,050 vota), ndërsa kandidati i pavarur Pavlo Shkarpa mori 16.65% (2,607 vota).