“Katastrofa” në Berat, Lefter Maliqi kërkon dorëheqjen e Eno Bozdos: Është e dyta herë që ai...

Drejtuesi politik i Partisë së Lirisë në Qarkun e Beratit, Lefter Maliqi kërkon dorëheqjen e drejtuesit politik të opozitës në Qarkun e Beratit, Eno Bozdos pas rezultatit tejet negativ që arriti kandidati i pavarur i mbështetur nga opozita, Pavlo Shkarpa në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e Bashkisë së Beratit.

REAGIMI I LEFTER MALIQIT

“Dorëheqja, akt motivues për PD dhe Opozitën.”

Qarku Berat “Kambanë Alarmi” për opozitën dhe dështim pjesëmarrja për Rilindjen.

Nga 116 kuti votimi, krenar që në Lagjen ku kalova fëmijërinë, kandidati i pavarur doli i pari me 9 vota plus si qendra e vetme e votimit fituese dhe ish-Komuna Otllak më e mira falë Lapardhasë, Virjonit e Qereshnikut.

Vlerësoj për mundin e kurajon Inxhinier Pavlo Shkarpën, i cili pavarësisht rezultatit mbetet vlerë për Beratin.

Këto zgjedhje kërkojnë analizë dhe reflektim të thellë. Drejtuesi Politik i PD-së Berat, Eno Bozdo, ndaj së cilit nuk kam asgjë personale pësoi dështimin e dytë të radhës, të rëndë në çdo aspekt, duke e listuar Beratin këtë herë në rezultatin më të dobët nga të 5 Bashkitë në garë.

Të marrë shembullin e Leskajt në Vlorë, të japë dorëheqje, t’i hapë rrugë riorganizimit, bashkimit të PD-së dhe opozitës në Qarkun Berat, në mënyrë që t’i paraprijmë shtimit dhe forcimit të radhëve, bashkimit, kthimit të besimit dhe shpresës për fitore të sigurt në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare në Qarkun Berat.

Ne do ja dalim! S’ka forcë që na ndalë! Analizë, mobilizim, organizim, shtim radhësh, forcim strukturash, frymë, optimizëm, shpresë, besim, përballje, bashkim, bashkim, bashkim dhe Fitore