Thaçi kandidat për Nobelin e Paqes, NYT: Ka vlerësimin e SHBA dhe BE

E përditshmja amerikane “The New York Times”, në numrin e publikuar sot i bën një portret kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, si një ish luftëtar dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që aspiron trashëgiminë e një burri shteti. Gazeta shkruan se Thaçi sot konsiderohet nga Brukseli dhe Washingtoni, një Geri Adams i Ballkanit që po e çon vendin drejt Evropës dhe emri i tij po përmendet si një kandidat për Çmimin Nobel për Paqe, edhe pse ka pak gjasa që ai ta fitojë vërtet këtë çmim."Kam luftuar në anën e drejtë të historisë për çlirimin e popullit tim nga Tirania kundër një armiku të pamëshirshëm që bënte përpjekje për kryerjen e një gjenocidi masiv," citohet të ketë thënë Thaçi për të përditshmen njujorkeze.Gazeta më tej shkruan se "kur Thaçi drejtoi luftën e përgjakshme guerile nga malet e vendit të tij të varfër ai ishte aq i aftë t'i shmangej kapjes nga armiku sa bashkëluftëtarët filluan ta thërrisnin “Gjarpër".Më tej gazeta sjellë deklarata të njerëzve nga Serbia ku thuhet se shumica e shfaqin urrejtjen ndaj tij duke e konsideruar si një kriminel të paaukuzar për krime lufte. Gazeta përmend edhe raportin e Këshillit të Evropës, ku kryeminsitri i Kosovës akuzohet për udhëheqje të grupit që tregtonte armë, heroinë dhe organe të njerëzve gjatë kohës së luftës. Por në shkrim nënvizohet se akuzat që janë bërë nga Dick Marty janë hedhur poshtë me neveri nga kryeminsitri Thaçi dhe qeveria e tij."Diçka e tillë kurrë nuk ka ndodhur dhe nuk kemi asgjë për të fshehur," deklaron Thaçi, i cili nënvizon se i beson “të vërtetës dhe drejtësisë".Gazeta në këtë portret të gjatë shkruan edhe për prejardhjen e tij nga Drenica dhe familjen shumanëtarëshe me traditë luftarake kundër regjimeve shtypëse në Kosovë.