EMRI/ Arrestohet në flagrancë 54-vjeçari, kultivoi 137 bimë kanabisi në tokë publike në fshatin Jubicë
Policia e Malësisë së Madhe ka finalizuar një goditje ndaj veprimtarive të paligjshme të kultivimit të lëndëve narkotike, në kuadër të operacionit antikanabis të koduar “Koordinata”.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të kryera në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, u arrestua në flagrancë shtetasi Ilir Rama, 54 vjeç, banues në fshatin Jubicë.
Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë në momentin kur ndodhej në një parcelë me 137 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa, të cilat i kishte kultivuar në tokë publike, në afërsi të zonës së banuar.
Pas dokumentimit të rastit, bimët narkotike u asgjësuan në vendngjarje përmes djegies, në prani të strukturave hetimore.
Materialet procedurale në ngarkim të 54-vjeçarit iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e hetimeve dhe ndjekjen penale për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”, në kundërshtim me nenin 284 të Kodit Penal.

