Malala mban fjalim në selinë e OKB-së

Vajza pakistaneze Malala Yousafzai, i është drejtuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara si pjesë e fushatës së saj për arsimim të detyrueshëm, por falas për cdo fëmijë. Të premten duke folur në ditën e 16-vjetorit të lindjes së saj, Malala në selinë e OKB-së tha se librat dhe mjetet e shkrimit i frikësojnë ekstremistët, ndërsa ajo bëri thirrje për përhapjen e edukimit ndaj të gjithëve."Në nëntë tetor 2012, talebanët më qëlluan në anën e majtë të ballit tim. Ata qëlluan shumë miqtë e mi, mendonin se plumbi do të na mbyllte gojën. Por ata dështuan. Dhe nga kjo heshtje erdhën mijëra zëra. Terroristët kanë menduar se do të ndryshojë qëllimet e mia dhe ambiciet e mia. Por asgjë nuk ka ndryshuar në jetën time, përveç kësaj, dobësia frika dhe mungesa e shpresës vdiqën ndërsa forca fuqia dhe guximi lindën. Unë nuk jam kundër askujt, as nuk jam këtu për të folur në aspektin e hakmarrjes personale kundër talebanëve apo ndonjë grupi tjetër terrorist. Unë jam këtu për të folur për të drejtën e edukimit të çdo fëmije" tha nxënësja,e cila konsiderohet si pretendente për çmimin Nobel për Paqe, ndërsa ajo shtoi se është duke luftuar për të drejtat e grave, sepse "ato janë të vetmet, që vuajnë më shumë se kushdo".Në një fjalim të guximshëm ajo tha se ekstremistët kanë frikë arsimin dhe kanë frikë gratë. Malala falenderoi ekipet mjekësore në Pakistan dhe Mbretërinë e Bashkuar që u kujdes për shërimin e saj.16-vjeçarja u qëllua me plumb në kokë, në një autobus shkolle nga talebanët, në muajin tetor 2012, për shkak të fushatës së saj mbi të drejtat e vajzave. Pasi u qëllua me armë zjarri, Malala fluturoi nga Pakistani për në Britani për kurim dhe tashmë jeton në Birmingham të Anglisë.Fjalimi i saj në selinë e OKB-së në New York, ishte i pari i bërë në publik, që prej incidentit të tetorit në Pakistanin veri-perëndimor.