E ardhmja e Alexander Isak ndez merkato, Newcastle refuzon Liverpoolin, Al-Hilal kërcënon

Alexander Isak është një nga emrat më të përfolur të kësaj vere në futbollin evropian.

Sulmuesi suedez, që spikati sezonin e kaluar me 27 gola në 42 ndeshje për Newcastle, është kthyer në një prej goleadorëve më të mirë në botë, veçanërisht në një kampionat të ashpër si Premier League.

Performanca e tij ka zgjuar interesin e klubeve të mëdha evropiane, përfshirë Liverpoolin, i cili tentoi një lëvizje të fuqishme për ta transferuar në “Anfield”.

Megjithatë, klubi nga “St. James’ Park” e refuzoi menjëherë, duke deklaruar se lojtari është i patransferueshëm për momentin.

Situata mund të ndryshojë me afrimin e Hugo Ekitiké te Liverpooli, çka mund të shuajë përfundimisht interesin e “The Reds”.

Megjithatë, kërcënimi më serioz vjen nga Arabia Saudite, konkretisht nga Al-Hilal, ku trajner është Simone Inzaghi.

Klubi saudit, i njohur për fuqinë financiare, është i gatshëm të bëjë një ofertë marramendëse.

Përballë gjithë kësaj zhurme, agjenti i Isak-ut, Gonzalo Gaitan, ka deklaruar për median saudite Arriyadah: “Jemi duke shqyrtuar të gjitha opsionet dhe mund të jemi afër vendimit për hapin e ardhshëm në karrierë.”

Aktualisht, Isak ka kontratë me Newcastle deri në qershor 2028, dhe klubi e vlerëson minimalisht 100 milionë euro.

Çdo zhvillim i ardhshëm do të jetë vendimtar për fatin e një prej sulmuesve më të kërkuar të merkatos së verës.