Rashford te Barcelona, ish-sulmuesi legjendar i Anglisë: Përforcim i madh, problem ishte United, jo ai
Barcelona është gati të zyrtarizojë transferimin e Marcus Rashford.
Sulmuesi anglez, 27 vjeç, do t’i bashkohet skuadrës katalanase në formë huazimi me të drejtë blerjeje, duke u kthyer në një armë të re për repartin ofensiv të trajnerit Hansi Flick.
I pari që komentoi këtë goditje të merkatos ishte ish-sulmuesi i Barcelonës dhe legjenda angleze Gary Lineker, një mik i afërt i Rashfordit.
Në një intervistë për ‘Què t’hi jugues’, Lineker u shpreh:
“Prej kohësh Barça nuk kishte një lojtar anglez. Rashford është një blerje e madhe: i talentuar, i shpejtë dhe një person shumë i mirë. Mendoj se do të shkëlqejë në Katalunjë.”
Ai theksoi se problemet e Rashfordit nuk kanë qenë personale, por lidhen me ambientin te Manchester United:
“Shumë lojtarë që kanë lënë United kanë performuar më mirë gjetkë.
Problemi është vetë United. Shpresoj që Marcus të tregojë vërtet nivelin e tij. Sot nevojiten lojtarë të gatshëm të japin maksimumin, dhe ai ka cilësi me shumicë.”
Sa i përket pozicionit ideal të Rashford, Lineker nuk ka dilema:
“Roli më i mirë i tij është në krahun e majtë, por mund të luajë edhe në qendër të sulmit. Me topin në këmbë është i pandalshëm. Mendoj se mënyra e lojës së Flick do ta nxjerrë në pah më së miri.”
Në fund, Lineker foli edhe për sensacionin e Barcelonës, Lamine Yamal:
“Është talenti më i madh që kam parë që pas Maradonës dhe Messit. Me atë cilësi në atë moshë… unë do t’i jepja menjëherë Topin e Artë.”
