Barcelona nis spastrimin e skuadrës, Flick largon tre lojtarë, ende 34 në garë për turneun aziatik

Pas fillimit zyrtar të sezonit më 13 korrik me një grup të gjerë prej 36 futbollistësh, Barcelona ka nisur shkurtimet në prag të turit aziatik që nis të enjten.

Trajneri gjerman, Hansi Flick, synon të marrë me vete vetëm 26 lojtarë dhe ka ndërmarrë tashmë hapat e parë drejt reduktimit të grupit.

Sipas njoftimit të klubit, këtë mëngjes, tre futbollistë janë transferuar te Barça Atlètic: Jan Virgili, Landry dhe Juan Hernández, duke u bërë të parët që përjashtohen nga lista e parë e Flick-ut pas një jave stërvitjesh me ekipin e parë.

Ndërkohë, disa të rinj kanë bindur trajnerin për të qëndruar në garë: Guillermo, Toni Fernández, Jofre, Pedro Fernández dhe Roony, ky i fundit i sapoardhur nga Kopenhaga, mbeten nën urdhrat e Flick.

Një mungesë e detyruar është ajo e talentit të ri Ibrahim Diarra, i cili pësoi një dëmtim muskulor në kofshën e djathtë dhe do të mungojë për një periudhë të pacaktuar.

Aktualisht, skuadra numëron 33 lojtarë të gatshëm, por me afrimin e shumëpritur të Marcus Rashford, një operacion thuajse i përfunduar, numri do të shkojë në 34.

Kjo do të detyrojë Flick-un të bëjë edhe tetë përjashtime të tjera përpara nisjes drejt Azisë.

Një nga emrat që mund të mungojë në listë është portieri gjerman Marc-André ter Stegen, i cili vijon të vuajë nga shqetësimet në shpinë. Gjatë javës pritet vendimi i tij për një ndërhyrje kirurgjikale të mundshme.

Sot, pas shtatë ditësh me 10 seanca stërvitore, skuadra ka marrë pushimin e parë.

Nesër, Barcelona rikthehet në fushë me një tjetër ditë intensive me dy seanca përgatitore.