U largua nga Interi, Marko Arnautovic transferohet në Serbi

Është zyrtare: Marko Arnautovic ka firmosur për Crvena Zvezda-n e Beogradit, pasi u largua nga Interi si lojtar i lirë.

Sulmuesi austriak, në moshën 36-vjeçare, ka zgjedhur të kthehet në një ambient më të afërt me rrënjët e tij dhe të përfaqësojë klubin që e ka pasur për zemër që në fëmijëri.

Arnautovic nënshkroi një kontratë dyvjeçare me kampionët në fuqi të Serbisë, ndërsa do të jetë lojtari më i paguar i kampionatit dhe një nga emrat më të mëdhenj që ka parë Superliga serbe në vitet e fundit.

Edhe pse ka lindur në Vjenë dhe përfaqëson Austrinë, Arnautovic ka origjinë serbe, çka e bën këtë transferim edhe më emocional për të dhe për tifozët vendas.

Sezonin e kaluar me Interin, Arnautovic shënoi shtatë gola, disa prej tyre të rëndësishëm, pavarësisht se shpesh u aktivizua nga stoli.

Me kalimin e tij te Zvezda, ai i bashkohet një skuadre që ka dominuar futbollin serb, duke fituar tetë tituj radhazi, që prej sezonit 2016–17.

Sulmuesi u prit me entuziazëm të madh në Beograd, ku qindra tifozë i uruan mirëseardhjen.

Debutimi i tij nuk pritet të ndodhë menjëherë në ndeshjen ndaj Lincoln Red Imps nga Gjibraltari në kuadër të Ligës së Kampioneve, por mund të vijë që javën e ardhshme, në ndeshjen e kthimit ose në javën e dytë të kampionatit serb.