Real Madridi përpiqet të shmangë një “luftë pagash” me Vinicius Junior

Pas shtatë vitesh te Real Madridi, Vinicius Junior është kthyer në një nga figurat kyçe të klubit “mbretëror”.

I ardhur si një talent 18-vjeçar, fillimisht me një pagë të ulët, braziliani është shpërblyer me një kontratë të rëndësishme në vitin 2022 pas shpërthimit të tij në fushë.

Ajo marrëveshje e parë e madhe, e hartuar në mënyrë progresive, i garantonte rreth 15 milionë euro neto në vit deri më 2027, duke përfshirë edhe bonuse shtesë si ai për fitimin e çmimit "The Best".

Sot, Reali dhe Viniciusi ndodhen përballë një momenti vendimtar: koha për një rinovim të ri ka ardhur dhe palët nuk mund të presin më.

Ndërkohë që braziliani kërkon një pagë që reflekton kontributin e tij, më të lartë se 15 milionët aktualë, drejtuesit e klubit gjenden në një pozitë delikate.

Çështja e pagave të ‘yjeve’ në klub

Prania e dy ‘superyjeve’ të tjerë, Kylian Mbappé dhe Jude Bellingham, e ndërlikon situatën.

Nëse Vinicius merr më shumë se 15 milionë euro në sezon, do të përfitonte më shumë se vetë Mbappé, çka do të prishte balancat brenda dhomës së zhveshjes.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Viniciusit argumentojnë se bonusi i majmë i firmës që mori Mbappé mund të konsiderohet si një pagë e maskuar, nëse shpërndahet përgjatë kontratës pesëvjeçare.

Real Madridi përpiqet të ruajë një hierarki të qëndrueshme pagash, por njëkohësisht nuk dëshiron të rrezikojë humbjen e një lojtari të dashur për tifozët dhe vendimtar në suksese si Champions League 2022 dhe 2024.

Zgjidhja? Vullneti i përbashkët

Pavarësisht gjithçkaje, të dyja palët kanë një dëshirë të përbashkët: Vinicius dëshiron të vazhdojë të shkruajë histori në Madrid, ndërsa klubi dëshiron ta mbajë atë si simbol të projektit të ri.

Nëse ka vullnet dhe mirëkuptim, palët besojnë se marrëveshja mund të arrihet shpejt, pa pasoja në balancën e brendshme të ekipit.