Marotta qetëson zërat për Calhanoglu: Asnjë kërkesë zyrtare, e presim më 23 korrik

Presidenti i Interit, Beppe Marotta, ka komentuar situatën e mesfushorit turk, Hakan Calhanoglu, emri i të cilit është lidhur së fundmi me disa klube nga Turqia, veçanërisht me Galatasaray-n dhe Fenerbahçe-n.

Në një prononcim gjatë prezantimit të partneritetit të ri mes Interit dhe kompanisë BYD, Marotta bëri thirrje për qetësi, duke ironizuar “zërat” që vijnë nga Stambolli.

“Të gjithë e dimë që turqit janë pak ‘alegorikë’. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Calhanoglu, edhe pse ai ka qenë i heshtur.

Kur të rikthehet, do të flasim drejtpërdrejt me të”, tha Marotta me një buzëqeshje.

Sipas tij, nuk ka ardhur asnjë ofertë zyrtare në adresë të klubit:

“Jemi përballë kërkesave fantazmë që kurrë nuk mbërrijnë te ne. Nuk dua që kjo të kthehet në një çështje, sepse nuk është.

Hakan nuk ka shprehur kurrë dëshirën për t’u larguar. Ne e presim më 23 korrik në grumbullim dhe sigurisht do të flasim bashkë.”

Në lidhje me spekulimet për lojtarë të tjerë si Lookman, Marotta preferoi të mos jepte detaje: “Për të do flasim herën tjetër…”

Me këto deklarata, Interi përpiqet të shuajë zërat për një largim të mundshëm të Calhanoglu, duke theksuar se lojtari është ende pjesë e projektit zikaltër dhe se nuk ka pasur asgjë konkrete nga klubet e interesuara.