Misteri ‘Frenkie de Jong’, Barcelona s'di me kë të bisedojë për rinovimin e holandezit

Raporti mes Frenkie de Jong dhe Barcelonës ka qenë i trazuar vitet e fundit, edhe pse tashmë duket se situata është stabilizuar.

Mesfushori holandez po përjeton një kapitull të ri në "Camp Nou", pas një periudhe të tensionuar me drejtuesit e klubit që, tri vite më parë, tentuan ta largonin për të siguruar ardhjen e Bernardo Silva.

Në atë kohë, klubi katalanas shkoi deri aty sa të përhapte në mënyrë jozyrtare se kontrata e rinovuar e De Jong ishte “e paligjshme dhe mashtruese”, një lëvizje që shkaktoi reagimin e sindikatës së futbollistëve të Holandës.

Ndërhyrja e tyre dhe ardhja e trajnerit Hansi Flick e qetësuan situatën, duke i dhënë një farë qetësie lojtarit dhe ambientit.

Megjithatë, misteri vazhdon. Kontrata aktuale e Frenkie de Jong skadon më 30 qershor 2026, dhe sipas rregullit të ri të vendosur nga drejtori sportiv Deco, asnjë lojtar nuk duhet ta nisë sezonin pa pasur të paktën dy vite kontratë të mbetura.

Kjo e vendos De Jong në një pozitë kritike.

Edhe pse presidenti Laporta dhe vetë lojtari, në një deklaratë për mediet holandeze më 8 qershor, kanë thënë se rinovimi është i dakordësuar, bisedimet janë të ngrira.

Situata është bërë edhe më komplekse pasi De Jong ka ndërprerë marrëdhëniet me agjentin e tij të vjetër, Ali Dursun, me të cilin Barcelona kishte marrëdhënie të ftohta.

Aktualisht, klubi nuk e di me kë të ulet për të negociuar, pasi De Jong nuk ka përfaqësues zyrtar, vetëm një avokate holandeze që menaxhon çështjet e tij ligjore, por që nuk ka licencë të FIFA-s për të vepruar si agjente.

Barcelona po pret që në krahun tjetër të tryezës të shfaqet një interlokutor legjitim, në mënyrë që të nisë negociatat për një kontratë të re, që do të përfshijë një ulje të ndjeshme të pagës.

Diçka që do t’i lejonte klubit të përmbushte rregullin financiar 1:1 të La Ligas dhe të mbante një lojtar që vetë ka shprehur dëshirën për të qëndruar në qytetin katalanas.

Por derisa të zgjidhet nyja përfaqësuese, e ardhmja e De Jong mbetet pezull.