Thaçi uron Edi Ramën për fitore në zgjedhje
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka uruar sot kryetarin e PS-së, Edi Rama, me rastin e fitores së koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane në zgjedhjet e 23 qershorit 2013.Përmes një telegram urimi, Thaçi thekson se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që edhe më tej të thellojë bashkëpunimin me institucionet e Shqipërisë, në rrugën e përbashkët evropiane, si dy shtete të pavarura.“Fitorja e koalicionit Tuaj, qetësia, transparenca dhe pranimi i rezultatit zgjedhor nga partitë politike shqiptare janë tregues të përcaktimit të Shqipërisë për vlera dhe integrime euroatlantike. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, Ju shpreh përgëzimet më të sinqerta për zgjedhjet 23 qershorit, në të cilat Shqipëria tregoi pjekuri politike dhe kulturë të lartë demokratike. Duke ju uruar fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit, shpreh besimin e plotë që qeveria e drejtuar nga lidershipi Juaj dhe i zotit Meta do ta ruajë dhe garantojë unitetin kombëtar, stabilitetin dhe prosperitetin e Shqipërisë”, thuhet në telegram.