Rezultati i (pa)pritur i LSI!

Fitorja e thellë e koalicionit të majtë në këto zgjedhje tashmë është konfirmuar gjerësisht se ka pa dyshim vulën e LSI. Rezultati spektakolar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, edhe pse ka surprizuar shumëkënd, nuk ishte aspak i papritur. Ky rezultat dhe kjo mbështetje masive e qytetarëve shqiptarë për LSI, pa diskutim që është fryt i vendimeve të drejta dhe vizionare që ka ditur të marrë lidershipi i kësaj force politike në favor të interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Rritja prej 100 përqindësh dhe më tepër e besimit të shqiptarëve për LSI, e ka bazën veçanërisht në dy vendime të mëdha që ndërmori në harkun kohor prej katër vitesh. Vendimi i parë i rëndësishëm që e konfirmoi LSI një forcë të përgjegjshme për fatet e vendit dhe rrugëtimin e sigurt drejt integrimit në BE, ishte pa dyshim pjesëmarrja e LSI në koalicionin qeveritar të dalë pas zgjedhjeve parlamentare të shkuara të vitit 2009. Duke iu rikthyer pak retrospektivës, populli shqiptar në ato zgjedhje i dha koalicionit të PD-së 70 mandate dhe e renditi PD forcën e parë politike më të votuar. Çdo vendim tjetër i lidershipit të LSI, ndryshe nga ai që ndërmori, do të ishte i gabuar në raport me interesat e vendit. Nëse LSI do bashkonte 4 mandatet e saj me 66 të koalicionit të PS, vendi nuk do të mund të bëhej me qeveri dhe, për rrjedhojë, do duhej t’u drejtohej sërish zgjedhjeve dhe kutive të votimit. Dhe bashkë me lodhjen, shpenzimet marramendëse, energjitë e humbura kot, vendi hynte në një spirale krize, ndërkohë që kishte shumë nevojë për një stabilitet që të çlironte reformat dhe hapat integrues. Ndaj, pavarësisht faktit se LSI bëri një fushatë edhe kundër Berishës në vitin 2009, arriti të administrojë shumë mirë kundërshtitë që vinin nga emocione apo interesa meskine dhe mandatet e saj i bashkoi me ato të koalicionit të PD për të qeverisur vendin dhe për të zgjidhur ngërçin që mund të krijohej. Dhe shpërblimi i këtij vendimi të drejtë erdhi vetëm pak muaj pasi LSI mori këtë vendim të rëndësishëm. Përmes vendimit të BE për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, shqiptarët arritën të fitonin një prej aspiratave të ëndërruara prej shekujsh, lëvizjen e lirë në familjen europiane. Gjatë bashkëpunimit qeverisës me PD, LSI ka ditur të ruajë identitetin e saj të së majtës moderne dhe progresiste. Jo pak raste ka bërë oponencë me forcën bashkëqeverisëse, duke dalë kundër disa vendimeve që shkonin në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe veçanërisht atyre që iu përkasin shtresave në nevojë. Gjatë kësaj kohe, LSI ka luajtur herë pas here rolin e një katalizatori në zbutjen e politikës së egër dhe konflikteve në mes palëve kundërshtare. Duke menduar se kampet politike nuk mund të qëndrojnë në llogore të ndara, kur bëhet fjalë për interesat në dobi të shqiptarëve, LSI ka apeluar vazhdimisht për dialog dhe konsensus. Edhe në rastin e ngërçit për zgjedhjen e kreut të shtetit, LSI ishte ajo që uli palët në tryezë për gjetjen e një Presidenti konsensual. Pavarësisht se konsensusi i kërkuar nuk u arrit, duke dalë një President i njëanshëm, i cili e ka të vështirë të garantojë institucione të pavarura kushtetuese. Kjo forcë politike arriti të bashkonte vullnetet e palëve për të miratuar edhe tri projektligjet e kërkuara për marrjen e statusit kandidat. Madje kjo ndodhi në ditët e kësaj fushate elektorale, duke garantuar përgjithësisht edhe një klimë të qetë të fushatës. Katër vite pas vendimit për bashkëqeverisje me PD, LSI mori një tjetër vendim shumë të rëndësishëm për interesat e vendit. Nisur nga një klimë e tendosur e marrëdhënieve me PS, gjatë katër viteve që LSI ishte në bashkëqeverisje me PD, të gjithë menduan se LSI ose do shkojë për inerci me PD, ose do të dalë e vetme në zgjedhje. Të dyja këta vendime do t’i shkonin shumë për shtat Sali Berishës dhe PD. Por Berishës i kishte ardhur koha për të ikur. Vendi kishte nevojë për ndryshim, dhe qeverisja për rotacion. Institucionet e pavarura kishin nevojë për një tjetër kontroll dhe balancë. Sepse Shqipëria kishte nevojë për një energji të re, që të ecë më shpejt drejt rrugës së zhvillimit dhe integrimit, duke dalë përfundimisht nga tranzicioni i stërzgjatur prej 23 vitesh. Dhe askush tjetër nuk mund ta nxirrte Berishën në pension, përveçse Ilir Meta. Ndaj dhe vendimi i LSI shkoi në drejtim të kësaj domosdoshmërie. LSI mori një vendim tepër me integritet dhe dinjitet për fatin e Shqipërisë, daljen në opozitë dhe bashkimin në koalicion parazgjedhor me Partinë Socialiste. Edhe pse ky vendim kishte riskun që shumë njerëz që i përkasin kësaj force politike në gjithë Shqipërinë, të largoheshin nga puna, lidershipi i LSI, siç ka bërë gjithnjë, edhe këtë herë nuk mendoi thjesht dhe vetëm për pushtetin e vet apo të militantëve. Por gjykoi me vizion dhe përgjegjshmëri, përtej interesave të elektoratit të saj, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kishte ardhur koha për ndryshim dhe LSI nuk kishte se si të mos ishte lajmëtarja dhe garantuesja e këtij ndryshimi, që sjell një energji të re që i duhet vendit për të ecur më shpejt. Jo më kot ky lajtmotiv u bë edhe slogani elektoral i LSI. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Kjo forcë politike garantoi fitoren e thellë të së majtës. Madje ia arriti që t’i kthente së majtës edhe njësi administrative të tilla, që PD i kishte tradicionalisht bastione. Kështu ndodhi në Shkodër, kështu ndodhi në Kukës, kështu ndodhi edhe në disa njësi administrative në Tiranë. Njësia 8 është shembulli më domethënës. Prej vitesh PD udhëhiqte përpara PS. Ndërsa në këto zgjedhje, falë frymës që u krijua nga bashkimi i LSI me PS, koalicioni i majtë e theu atë të djathtë dhe doli më shumë se 1 mijë vota përpara. LSI arriti të fitonte shumë zemra edhe të votuesve tradicional të PD, duke kontribuar kështu në një rezultat në rënie të theksuar të PD në këtë njësi dhe fitore të koalicionit të majtë. Vendimet e rëndësishme të ndërmarra në kohën e duhur, politika për zgjidhje dhe jo për bllokim, fushata me projekte të qarta për punësimin e shqiptarëve dhe sidomos të rinjve dhe jo sharjet dhe fyerjet, janë arsyet e rezultatit të (pa)pritur të LSI në këto zgjedhje. Qytetarët shqiptarë përmes këtij votëbesimi të jashtëzakonshëm, në progresion gjeometrik që i dhanë LSI dhe Ilir Metës, treguan që vlerësojnë pikërisht këtë politikë dhe këto vlera që kjo parti ka ofruar në politikën shqiptare prej gati një dekade, që nga krijimi i saj në 2004.