Shah Deniz njofton zyrtarisht për përzgjedhjen e gazsjellësit TAP
Tani nuk ka më dyshime, konsurciumi Shah Deniz zyrtarizoi përzgjedhjen e projektit të Gasjellësit Trans Adriatik si fitues të garës për shpërndarjen e gazit nga Azerbajxhani në Evropë.Në një konferencë për shtyp në kryeqytetin Baku, Shah Deniz konfirmoi se TAP-i ka fituar ndaj projektit tjetër NABUCCO."Ky është hapi i parë dhe i rëndësishëm për hapjen e korridorit jugor të gazit dhe do të luajë një rol madhor në sigurinë energjetike të Europës duke garantuar furnizimin me gaz në tregjet e Europës Perëndimore dhe Juglindore. Rezultatet e TAP-it në këto tre vite janë mbresëlënëse dhe jam shumë krenar që isha pjesë e kësaj skuadre," tha Drejtori i menaxhimit në TAP Kjetil Tungland.Sipas tij në muajt e ardhshëm do të vijojë puna me Shah Deniz për tu siguruar që më vonë gjatë vitit, kompania do të marrë një vendim përfundimtar dhe të suksesshëm.Përzgjedhja e gazsjellësit Trans Adriatik konfirmon se TAP është projekti më i avancuar teknikisht dhe ekonomikisht për të transporuar gazin e Shah Deniz në Europë. Mbështetja e vazhdueshme e Komisionit Europian dhe disa qeverive të vendeve europiane treguan rëndësinë që ka TAP në axhendën europiane të energjisë.TAP do të transportojnë gazin natyral nga fushat e Shah Deniz II në Azerbajxhan në tregjet europiane. Gazsjellësi 870 km i gjatë do të lidhë tubacionin Trans Anatolian që ndodhet në kufirin turko-grek në Kipoi, do të kalojë përmes Greqisë e Shqipërisë dhe nëpërmjet detit Adriatik, dhe do të mbërrijë në brigjet e Italisë Jugore.Shumë ekspertë mendojnë se ndërtimi i gazsjellësit Transadriatik do të jetë një shkop magjik për ekonomine shqiptare. Mendohet se vetëm në fazën e ndërtimit TAP do të sjellë rreth 157 milionë euro shtesë në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar dhe do të krijojë mesatarisht 2900 vende pune në vit.