Wolfarth përfundon mandatin: Shqipëria, në një fazë të re dinjiteti

Ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth përfundon mandatin e tij 3-vjecar në Shqipëri. Ashtu sic edhe kishte lajmëruar në studion e Tonight Ilva Tare, Wollfarth përmbyll misionin e tij në vendin tonë për të udhëtuar të dielën sëbashku me bashkëshorten e tij drejt Kuvajtit.Me rastin e largimit, ai organizoi një pritje me krerët më të lartë të shtetit e politikës, diplomatë dhe përfaqësues të medias në Shqipëri. Në fjalën e tij, kreu i OSBE duke vlerësuar punën ne vendin tone, tha se e vlerëson të përmbushur misionin e tij, ndërsa me nota pozitive është shprehur edhe per procesin zgjedhor.“Puna e OSBE është një punë që bëhet për Shqipërinë. Mua më ka pëlqyer shumë puna në Shqipëri, pavarësisht se nuk ka qenë gjithmonë shumë e lehtë.Unë e konsideroj misionin tim të përmbushur, megjithatë loja vazhdon. Ajo që ka rëndësi është se pavarësisht mosmarrëveshjeve politike, zgjedhjet arritën të kishin rezultat të qartë, u pranuan dhe duhen vlerësuar. Do doja të përgëzoja ata që fituan besimin e popullit. Ajo cka më gëzon shumë është se shoh tani Shqipërinë në një fazë të re dinjiteti. Ka qenë një kohë shumë shpërblyese, të dielën sëbashku me Ana Marian udhëtoj në Kuvajt, të hënën nis punën. Ju falenderoj shumë për mbështetjen ata që punojnë në Shqipëri dhe ata që punojnë për Shqipërinë” tha Eugen Wollfarth.Eugen Wollfarth është një diplomat gjerman dhe qe nga 16 shtatori i vitit 2010, ai shërben si Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.