100 vjet Shqipëri- Tokë e “xanun”

Asnjë shqiptar i ndershëm nuk e dëshiron një gjë të tillë por realiteti do të jetë kështu. Ultraliberalizmi në ekonomi po rezulton, me të vërtetë, nxjerrje në ankand, shitje e atdheut, me të gjithë potencialet e tij ekonomike, kulturore, madje edhe territoriale. Siç e karakterizojnë filozofët e shoqërive liberale sipërmarrja e lirë, privatizimi, shitja e të gjithë pronave të shtetit është një “mrekulli” që vetëm ekonomia e tregut mund ta garantojë. Kjo është e vërtetë, por edhe kjo, si çdo e vërtetë tjetër, është relative.Në vendin tonë “mrekullia e tregut të lirë” ka rezultuar katastrofike. Është “mrekullia” e lëvizjes së lirë, jashtë kontrollit të shtetit, që në Shqipëri ka sjellë një kaos të pariparueshëm në gjendjen demografike të popullsisë, në sistemin urbanistik të qyteteve e qendrave të tjera të banuara. Tani sponsorët e “mrekullisë” të sipërmarrjes së lirë, të lëvizjes së lirë, të zgjedhjes së lirë të vendbanimit, të çdo krahu qoftë, janë të detyruar të përdorin buldozerët, dhunën policore, deri edhe në përleshje fizike e me armë me qytetarët, për të prishur banesat/aktivitetet e tyre pa leje e jashtë planeve urbanistike. Është “mrekullia” e sipërmarrjes së lirë që ka çuar në shpërdorim dhe dështim, gati total,edhe sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë, siç janë minierat e kromit e të bakrit, sektori i naftës e i gazit,sektori i energjisë elektrike,telekomunikacioni, etj. Transporti ajror, detar, transporti hekurudhor shtetit shqiptar i kanë dalë me kohë ‘’jo rentabël’’ dhe as që ka menduar ndonjë herë t`i zotërojë, madje as edhe të jetë aksioner në këto aktivitete. Është nxjerrë në shitje i gjithë inventari i pushtetit qendror e lokal, i ushtrisë, policisë që përfshin me mijëra ndërtime, me mijëra hektarë sipërfaqe që janë në vendet më të mira, për biznese të gjithfarëllojshme.Koncepti “neoliberal” mbi ekonominë e çoi shtetin shqiptar në humbjen e pronësisë dhe të kontrollit mbi tokën bujqësore. Bregdeti shqiptar, nga Velipoja deri në Butrint është copëtuar në qindra e mijëra sipërmarrje e resorte private. Shqiptarët, nëse nuk prenotojnë në këto resorte, ose nuk paguajnë edhe për çadrat e diellit e shezlongët, nuk mund të pushojnë as edhe një orë në bregdetin e tyre. Strategjia e qeverive shqiptare për të privatizuar,shitur çdo sektor të ekonomisë sonë, përfshirë edhe ata sektorë që përbëjnë asete strategjike si nafta, gazi, minierat, veprat hidroenergjitike do të rezultojë, madje, edhe me humbjen e sovranitetit shtetëror mbi pronën, mbi pasurinë kombëtare. Të gjithë e kujtojnë faktin se shteti shqiptar nuk e detyroi dot kompaninë CEZ, të furnizojë me energji elektrike stadiumin ‘’Qemal Stafa’’ për ndeshjen e kombëtares shqiptare me atë të Qipros. Madje kjo strategji rrezikon të rezultojë edhe në tjetërsimin e sovranitetit mbi tërësinë territoriale të vendit; ajo do të rezultojë antikombëtare edhe në termat e garantimit të sigurisë e të mbrojtjes së vendit përballë cilitdo agresor. Për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes ekonomike të popullit,për të parandaluar krimin që po bëhet ndaj pasurisë kombëtare është e domosdoshme që “mrekullia” e sipërmarrjes së lirë, strategjia e privatizimit të të gjithë pasurisë të vihet nën kontroll të rreptë.Duhet të ndalet kjo marrëzi për privatizimin, shitjen e çdo prone që është krijuar me mundin dhe gjakun e popullit tonë. Përndryshe do të shkojmë në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë pa tërësi ekonomike, pa prona që i takojnë gjithë shqiptarëve, pa tërësi territoriale. Toka të cilën 100 vjet më parë plaku i Vlorës Ismail Qemali e shpalli të “mosvarme” do të rezultojë e “xanun”, e xanun nga kompani, firma e individë që nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë, me popullin e saj, përkundrazi përfaqësojnë interesat e qarqeve dhe klaneve mafioze të huaja, madje të atyre vendeve të cilët “mosvarësinë” e Shqipërisë nuk e kanë pranuar asnjëherë, siç nuk duan të pranojnë “mosvarësinë” e Kosovës sot.Burimi