Gjyqi për Mediun, flet Shkëlzen Berisha: Politizimi nuk e ka ndihmuar zgjidhjen e çështjes
Shkëlzen Berisha u paraqit paraditen e kësaj të mërkure në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në gjyqin ndaj Fatmir Mediut për dosjen “Gërdeci”.
Menjëherë pasi doli nga Gjyakata, Berisha ka folur për gazetarët teksa deklaroi se politizimi i ccështjes së Gërdecit nuk e ka ndihmuar vetë zgjidhjen e saj.
Ndërkaq, Shkëlzen Berisha dëshmoi në lidhje me faksin që ish-ministri Aldo Bumçi i ka dërguar atëherë Fatmir Mediut me shënimin “për Shkëlzen Berishën”.
“Jua kam thënë dhe para një viti. Takimet kanë qenë në lidhje me natyrën personale, politike dhe lidhje të tjera. Jo për këtë çështje. Delirogjri përveç se ka qenë i përfshirë në këtë çështje, ka qenë sipërmarrës. E kam njohur si sipërmarrës. Qartësia nga unë ka qenë që në fillim. Ky faks nuk është nisur nga adresa ime dhe as nuk kam bërë asnjë gjë të tillë. Bumçin dhe Mediun i kam pasur miq dhe para se të ishin në këtë post, dhe tani. Jam thirrur para 1 viti dhe për këtë çështje. Kam diskutuar për një çështje tjetër. I kam takuar para se të mbanin funksione të tilla dhe pasi i kishin dhe sot. Bisedat janë si ato që bëhen me miqtë, siç bëni dhe ju.”, tha ai.
Shkelzen Berisha: Tragjedia nëse është hetuar siç duhej, s’jam as gjyqtar dhe as prokuror. Por politizimi i kësaj çështje nuk e ka ndihmuar të vërtetën dhe hetimin. 71 dëshmitarë janë thirrur. Ata ndahen në 3 kategori. Asnjë nga ata aty nuk kanë lidhje me akuzën. Nuk kam asnjë lloj informacioni që mund t’i shërbejë akuzës. Unë e konsideroj teatër politik. Në mëngjes niset djali dhe në drekë gjykohet babai. Nuk e di se kush e ka shkruar faksin. S’kam nisur asnjë.
Kujtojmë se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është vënë nën akuzë nga SPAK për çështjen “Gërdeci”, ku nga shpërthimi i ndodhur në fabrikën e municioneve atje, humbën jetën 26 persona.
Mediu po gjykohet në GJKKO për çështjen “Gërdeci” për dy akuza atë të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues”.


