Zbardhet dëshmia "me dyer të mbyllura" e Shkëlzen Berishës para GJKKO-së: Nuk kam asnjë lidhje me “Gërdecin”

Shkëlzen Berisha u paraqit paraditen e kësaj të mërkure në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në gjyqin ndaj Fatmir Mediut për dosjen “Gërdeci”.

Në dëshminë e tij të dhënë në seancën me dyer të mbyllura për mediat, Berisha thënë se:

“2007-2008 kam punuar disa muaj në kompaninë “Eagle Mobile”. Kam qenë jashtë Shqipërisë kur ka ndodhur ngjarja. Ose nëpërmjet medias ose nëpërmjet familjarëve e kam mësuar ngjarjen.

Me Aldo Bumçin njihem. Kam marrëdhënie miqësore për shkak për shkak të përfshirjes në politikë. Që prej 2004 e njoh. Bisedat me të kanë qenë personale. Nuk kemi patur biseda për ndonjë VKM. Nuk njoh njeri as kush e ka shkruar as kush e ka marrë faksin. Nuk kam bërë asnjë padi por jam në dijeni se Bumçi e ka bërë një të tillë.

Me Mediun njihem prej 1994. Kam marrëdhënie personale e miqësore. Nuk kam patur biseda për demontim me Mediun. Kam patur një bisedë me Mediun ditën e ngjarjes, ka qenë bisedë personale për sëmundje (një anëtar i familjes së tij).  Nuk kam patur zhvilluar bisedë tjetër përveç kësaj.

Mihal Delijorgjin e njoh si sipërmarrës. E kam takuar vetëm një herë në 2008, pasi një klient donte të blinte një objekt te kompleksi i tij. Për këtë çështje kam patur disa telefonata me të. Nuk e dija se me çfarë merrej konkretisht Delijorgji. 4 telefonata nga janari deri në mars, nuk kanë qenë telefonata për aktivitetin e tij në Gërdec.

Mihalin e mora në telefon kur ndodhi shpërthimi, për shkak se një familjar më kërkoi të interesohesha për shpërthimin pasi dikush i familjes së tij punonte aty”, mësohet se është shprehur Shkëlzen Berisha.

Prokurori i SPAK: Pse keni bërë 4 telefonata pas ngjarjes me Mediun?

Shkëlzen Berisha: Nuk mbaj mend ndonjë bisedë me Mediun pas ngjarjes.