2 vendime dhe 1 protestë/ GJKKO do të vendos sot për arrestimin e Berishës, Gjykata e Lartë cakton fatin e PD-së

Do të mbahet sot gjyqi për ish-kryeministrin Sali Berisha. Pala mbrojtëse e Berishës, kërkoi një ditë më parë përjashtimin nga procesi, të gjyqtares Irena Gjoka, duke dorëzuar provat që sipas tyre provojnë faktin e shkarkimit në shkurt të 1996 nga KLD ku kryetar ishte Sali Berisha.

Ndërkohë, seanca gjyqësore në GJKKO do të nisë në 11:00, ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për ashpërsimin e masës ndaj Berishës, nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore.

KERKESA

Pas miratimit të autorizimit nga Kuvendi për heqjen e lirisë së Sali Berishës, SPAK iu drejtua Gjykatës më datë 22 dhjetor duke i kërkuar ashpërsimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin, i cili po hetohet nën dyshimet për korrupsion në privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.

Në kërkesën drejtuar GJKKO, Prokuroria e Posaçme kërkon masën “arrest shtëpie”. Ligji i jep 5 ditë Gjykatës, për të marrë në shqyrtimin kërkesën e SPAK dhe gjyqtarja Irena Gjoka pritet që në seancën gjyqësore të së martës të thërrasë për të dëgjuar palët, nga njëra anë prokurorët e SPAK dhe nga ana tjetër personin nën hetim Sali Berisha dhe avokatët e tij.

Duke respektuar ditën e Krishtlindjes, seanca në GJKKO zhvillohet të martën, pasi Kuvendi i hapi rrugën SPAK për arrestimin e deputetit Sali Berisha, si masë shtrënguese ndaj tij, pasi më herët, ish-kryeministri refuzoi të zbatonte vendimin e gjykatës së posaçme, që kishte caktuar masën e detyrimit për paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit. Në seancën plenare të 21 dhjetorit, Kuvendi mes tensioneve votoi dhënien e autorizimit për SPAK.

SPAK iu drejtua Gjykatës së Posaçme, pasi Sali Berisha e kundërshtoi vendimin e parë të detyrim paraqitjes, duke e konsideruar si antikushtetues. Në opinion juridik dhe kushtetues të Berishës, masa fillestare në ngarkim të tij nuk mund të zbatohej, pasi SPAK nuk kishte marrë më parë autorizim nga Kuvend. Por SPAK i qëndroi mendimit se masa për detyrim paraqitje ishte e një karakteri që konsiderohen kufizim dhe jo heqje lirie.

Seanca në Gjykatën e Lartë

Gjykata e Lartë do të vendosë mëngjesin e sotëm për rrugën që do t’i japë çështjes së kujt i përket vula dhe simbolet e Partisë Demokratike.

Në dhomë këshillimi do të shqyrtohet kërkesa e paraqitur prej mbështetësve të Berishës, sipas të cilëve në fuqi duhet të jetë vendimi i Shkallës së Parë, ku Agron Zhukri të drejtën ia la Kuvendit të 11 dhjetorit të Rithemelimit.

Sipas procedurët, trupa do të ketë mundësinë që të marrë vendim, pa dëgjuar palët, por në shqyrtim të dokumenteve.

Të tre mundësitë mbeten të hapura, ku një është lënia në fuqi e Apelit, që kërkon rishqyrtimin e plotë të çështjes, duke shfuqizuar vendimin “Zhukri”, pra të shprehet në favor të grupimit “Basha”.

Një tjetër zgjidhje është rrëzimi i Apelit dhe lënia në fuqi e vendimit të Zhukrit, duke ia kaluar të drejtat Berishës.

Në të dy mundësitë, palët mund të ankimojnë vendimin respektiv në Gjykatën Kushtetuese.

Një zgjidhje e tretë është që nga dhoma e këshillimit çështja të kalojë në seancë me përballje të palëve.

Ndërkaq procesi do të shoqërohet me protesta të thërritura nga Berisha para Gjykatës së Lartë, tubim i kërkuar në orën 09:00 në të njëjtin moment kur Gjykata e Lartë do mblidhet për të dhënë vendimin që ka nisur dy vite më parë në dhjetor të vitit 2021.

2 vendime dhe 1 protestë/ GJKKO do të vendos sot për arrestimin e