3 rrugë për vulën e PD-së/ Gjykata e Lartë shqyrton nesër konfliktin, Berisha thërret mbështetësit në protestë
Në dhomë këshillimi Gjykata e Lartë do të ndajë nesër nëse vula e PD-së do t’i kalojë Bashës, Berishës apo do të shqyrtojë më tej në seancë dokumentet. Në të njëjtën orë kur është lajmëruar mbledhja e trupës, ish kryeministri ka thërritur në protestë mbështetësit para institucionit të drejtësisë
Gjykata e Lartë do të vendosë mëngjesin e së mërkurës për rrugën që do ti japë çështjes së kujt i përket vula dhe simbolet e Partisë Demokratike.
Në dhomë këshillimi do të shqyrtohet kërkesa e paraqitur prej mbështetësve të Berishës, sipas të cilëve në fuqi duhet të jetë vendimi i Shkallës së Parë, ku Agron Zhukri të drejtën ia la Kuvendit të 11 dhjetorit të Rithemelimit.
Sipas procedurët, trupa do të ketë mundësinë që të marrë vendim, pa dëgjuar palët, por në shqyrtim të dokumenteve.
Të tre mundësitë mbeten të hapura, ku një është lënia në fuqi e Apelit, që kërkon rishqyrtimin e plotë të çështjes, duke shfuqizuar vendimin “Zhukri”, pra të shprehet në favor të grupimit “Basha”.
Një tjetër zgjidhje është rrëzimi i Apelit dhe lënia në fuqi e vendimit të Zhukrit, duke ia kaluar të drejtat Berishës.
Në të dy mundësitë, palët mund të ankimojnë vendimin respektiv në Gjykatën Kushtetuese.
Një zgjidhje e tretë është që nga dhoma e këshillimit çështja të kalojë në seancë me përballje të palëve.
Ndërkaq procesi do të shoqërohet me protesta të thërritura nga Berisha para Gjykatës së Lartë, tubim i kërkuar në orën 09:00 në të njëjtin moment kur Gjykata e Lartë do mblidhet për të dhënë vendimin që ka nisur dy vite më parë në dhjetor të vitit 2021.


