“ARREST SHTËPIE” PËR BERISHËN/ GJKKO shqyrton sot kërkesën e SPAK-ut

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar masën e arrestit në shtëpi për Sali Berishën duke mos e shfrytëzuar hapësirën për izolim në qeli. Po ashtu SPAK ka kërkuar në Gjykatën e Lartë kthimin në burg të dhëndërrit të ish-kryeministrit, Jamarbër Malltezi. Të dy janë nën hetim për privatizimin e kompleksit “Partizani”.

Gjykata e Posaçme shqyrton sot kërkesën e SPAK-ut për masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili është në akuzë për korrupsion pasiv lidhur me procedurat e ndjekura për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” më Tiranë.

Po ku do të jetë Sali Berisha ndërkohë që do zhvillohet seanca?

Zyra e shtypit të Sali Berishës ka njoftuar se në orën 10:00 kur do të zhvillohet seanca, ai do të jetë në një bashkëbisedim me  të rinjtë e FRPD.

Kërkesa e SPAK-ut

Pasi mori javën e kaluar nga Kuvendi lejen për masën e arrestit në shtëpi ose në burg për Sali Berishën, SPAK i është drejtuar gjkko me kërkesën për izolimin e ish-kryeministrit në banesë.

Këtë të martë Gjykata do të vendosë pikërisht për këtë kërkesë të Prokurorisë së Posaçme duke mbyllur kështu dhe debatin e hapur.

Në këtë vendim pritet të sqarohet, po ashtu, dhe se në cilin ambient do të qëndrojë Berisha, i cili përgjatë këtyre ditëve ka theksuar se do të vijojë të drejtojë opozitën.

Nga ana tjetër, për hetimin e dosjes “Partizani”, Akuza ka bërë edhe një tjetër hap, duke kërkuar në Gjykatën e Lartë rikthimin në qeli për Jamarbër Malltezin.

Ky i fundit u la në 20 nëntor në masën e “arrestit në shtëpi”, duke e nxjerrë nga qelia me vendim të Gjykatës së Apelit. Por një vendim i tillë ka lënë të pakënaqur prokurorinë.

Po ashtu, të premten e 22 dhjetorit, Gjykata e Apelit ka rrëzuar avokatët e dhëndërrit të Berishës për kthimin e telefonëve të sekuestruar. Duke i konsideruar si objekte të vlefshme për hetimin, aparati do të mbetet i bllokuar nga prokuroria.

Si Berisha, ashtu dhe Malltezi janë duke u hetuar për privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”, ku SPAK dyshon se është përfituar përmes ndërhyrjeve të njëanshme të ish-kryeministrit.