Heqja e vizave për Kosovën, analistët:Nuk janë plotësuar kriteret

Edhe pse ka mbetur vendi i vetëm, i izoluar në Ballkan, heqja e regjimit të vizave nga Bashkimi Evropian për Kosovën duket larg. Bazuar në zhvillimin e proceseve, sipas analistëve, por edhe përfaqësuesve të opozitës, qytetarët e saj jo vetëm nuk mund të presim liberalizim të vizave këtë vit, por madje as në vitin e ardhshëm pra në 2014-n.Analisti për çështje politike, Ardian Arifaj ka thënë për mediat kosovare se këtë vit nuk pritet asgjë për heqjen e vizave.“Nuk po plotësohen kushtet. Jemi duke ecur shumë ngadalë në këtë drejtim. Vërejtjet kryesore janë duke filluar nga riatdhesimi, i cili është duke shkuar shumë ngadalë, e shumë mangësi deri te skandalet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që sigurisht reflekton edhe kjo. Ne ende kemi probleme t’i bindim ato 5 shtete që nuk ka kanë njohur, që të pranojnë të paktën të hiqen vizat për Kosovën”, ka thënë Arifaj. Më tej ai ka shtuar se bazuar në përmbushjen e kushteve nga Kosova, ky proces do të vonohet, përveç nëse Brukseli merr ndonjë vendim politik dhe “i mbyll sytë”, para disa kushteve që nuk janë plotësuar.Deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje!”, Alma Lama ka thënë se nuk mund të thotë se kur mund të bëhet ose jo, por nëse plotësohen standardet , përfaqësuesit e BE-së kanë premtuar se do t’ia mundësojnë liberalizimin Kosovës”.“Me sa di unë, standardet janë shumë larg plotësimit dhe gjithë ai pyetësori nuk është përmbushur dhe janë gjëra esenciale. Ju e dini, tenderi i pasaportave përflitet sot në BE, sepse ato janë dokumentet, me të cilat do të realizohej procesi i heqjes së regjimit të vizave dhe duke pasur një tender në të cilin ka pasur keqpërdorime, atëherë çfarë mesazhi është ky? Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë ka deklaruar se kur u përmendet çështja e liberalizimit në BE, ndihen keq menjëherë, duke përmendur çështjen e pasaportave. Më shumë fjale, propagandë, sesa punë”, ka thënë Lama.Ndërkaq pak më optimistë është treguar deputeti i LDK-së, Sadri Ferati i cili ka thënë për gazetën se nuk do të kishte dashur të fliste me data, por ajo që ata presin është se ka një avancim.“Ne shpresojmë se ajo të ndodhë, por me data nuk preferoj të merrem. Nga raportimet e Qeverisë kemi dëgjuar se janë fare afër realizimet, mirëpo na mbetet të shohim dhe ndoshta brenda 1 ose 2 muajve do të mund t’i kemi të dhënat në këtë drejtim”, ka thënë Ferati.