Breçani të birit: Askush që ka shit si ju me shuma të mëdha, nuk ka shpëtuar të humbë tan pasurinë, familjen, e veten

Ish-zv/drejtori i policisë së Tiranës Erzen Breçani rezulton të ketë pasur dijeni të plotë për aktivitetin e të birit, Eralbi Breçani, në trafikun e kokainës nga Amerika Latine në drejtim të porteve kryesore të europës.

Në dosjen hetimore del se vetë Breçani, flet me të birin duke u interesuar nëse kishte mbërritur ose jo, përzierësi i lëndës narkotike.

Ndërsa Breçani kërkon dhe merr 350 mijë euro nga fitimet e të birit në aktivitetin e drogës, me qëllim për të paguar këstin e turbinave të hidrocentralit “Drita Energy”.

Një skemë klasike e pastrimit të parave të fituara nga aktiviteti kriminal, thotë prokuroria në dosjen hetimore.

Në 8 shtator 2020 Erzen Breçani bisedon me Eralbi Breçanin, ku dërgon mesazhet:

"...Po ju a e gjet perzirsin...Se këta që pyta unë te Petriti thonë nuk kemi gjet, nuk dimë kush e fut… Ani mir boll...Se këtu mos me u marr me shit hiç, sidomos të përziem se për mall të keq e shesin tjetrin për dy parë…. Sa keni shit...Ku e keni shit... Ku je...Se jam ka due me dal...Po a nuk e takove Ujezën hic sot a...? Po e kie nanë, a kan s’mut e nuk e takove as dy minunta? A marre more... He i raft pika punve e drogave e tanave, se nuk di ç’ka u duhen kur t’shkojn nana e sëmut e mos me pa pesë minuta...".

Në bisedën e zhvilluar, ku Erzen Breçani, si prind i tërheq vëmendje Eralbit, që nuk ka shkuar të takoi të ëmën, njëkohësisht shfaq dhe dijeninë e tij lidhur me aktivitetin që ushtron, Eralbi Breçani, në trafikun e lëndëve narkotike.

Ndërkohë në datën 10 shtator 2020 sërish Erzen Breçani diskuton rreth marrëdhënies midis Eralbi Breçanit dhe Ervin Matës.

Ai i dërgon mesazhet: "...E nuk ish dashtë me i kallxue as lidhje as kontakte... Se nuk i mban goja as truni sen... E  flet e nuk e fal kush për zotin... Ai me nejt në punë të vet e mos me u perzie me kërr kën... Se askush nuk e don, e sa ta marrin vesh gjë, s’ka do i hidhen e do e këputin të parët këta që rrin me të...Kam dalë me Ujëzën e Jehonin... Hangrëm buk...Te kjo rrugica eToptanit... Askush që ka shit si ju me shuma të mëdhaja, nuk ka shpëtuar pa humb tan pasurinë e familjes, familjen, dhe veten...".