Puthi lojtaren pas fitores/ FIFA procedim disiplinor kundër presidentit të Federatës Spanjolle

Organi drejtues i futbollit botëror (FIFA) ka hapur një procedim disiplinor kundër presidentit të federatës spanjolle Luis Rubiales për sjelljen e tij gjatë finales së Kupës së Botës për femra, shkruan BBC.

Rubiales puthi në buzë sulmuesen Jenni Hermoso pasi Spanja mundi Anglinë.

Sipas raportimeve nga Spanja, Rubiales sot pritet të shpallë dorëheqjen dhe tashmë ka njoftuar kolegët për vendimin e tij.

“Rubiales do të japë dorëheqjen nesër. Ai kishte humbur mbështetjen e lojtarëve, qeverisë, FIFA-s dhe madje edhe atyre organizatave lokale që varen nga buxheti i federatës,” shkroi eksperti spanjoll i futbollit Guillem Balague në X (ish-Twitter).

Hapi tjetër është që të gjithë në Spanjë të reflektojnë mbi atë që ndodhi dhe pse.

FIFA do të vlerësojë nëse veprimet e tij përbëjnë shkelje të nenit 13 të kodit të saj disiplinor, në lidhje me sjelljen ofenduese dhe lojën e ndershme.