Neymar: Cristiano Ronaldo një pioner, e morën për të çmendur

Neymar e ka mbyllur zyrtarisht me Paris SG-në dhe me futbollin europian. Ai dje i ka dhënë lamtumirën shokëve të “vjetër” në Francë dhe shumë shpejt do të nisë aventurën e tij në kampionatin saudit, aty ku ka firmosur një kontratë me Al-Hilalin për dy vjet.Pavarësisht interesimit të Barcelonës, në fund braziliani zgjodhi milionat e shumtë nga Arabia Saudite, duke u bërë njëkohësisht lojtari i tretë më i paguar në histori pas Kristiano Ronaldos dhe Karim Benzemasë, që gjithashtu luajnë në Arabinë Saudite.

Nejmar ka folur dhe për mediat në lidhje me aventurën që atë e pret në Arabinë Saudite. Braziliani ka vënë theksin te Cristiano Ronaldo, duke e bërë atë “fajtor” për transformimin e ligës saudite në një nga kampionatet që po bëjnë shumë zhurmë në botë. 31-vjeçari Neymar nënshkroi një kontratë dyvjeçare me klubin në Riad të martën pasi kaloi gjashtë vjet me Paris SG-në. Cristiano Ronaldo pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, nga ana e tij iu bashkua Al-Nasr në dhjetor me një kontratë 2.5 vjeçare pas largimit të tij nga Mançester Junajtid.

“Unë besoj se Kristiano Ronaldo ishte ai që filloi gjithçka, ai ishte pionier i këtij transformimi. Fillimisht të gjithë e quajtën atë një “të çmendur. Por, ju shihni se liga saudite po rritet gjithnjë e më shumë”, tha Nejmar në intervistën e tij të parë pas transferimit të mërkurën. Që me ardhjen e Kristiano Ronaldos, Liga Pro Saudite ka investuar mbi 600 milionë euro për të joshur një mori lojtarësh dhe trajnerësh kryesorë nga klubet evropiane.