Çështja e trajnerit të kombëtares italiane, Moratti: De Laurentis, si Lukaku
Kombëtarja italiane vazhdon të jetë pa trajner pas dorëheqjes së Roberto Mançinit dhe çdo ditë e më shumë po bëhet çështje emri i trajnerit të ardhshëm.
Federata Italiane e Futbollit synon të ketë Luçiano Spaletin si trajner të ri të kombëtares, por gjithçka sillet rreth klauzolës që trajneri ka me Napolin, e kërkuar nga presidenti Aurelio de Laurentis për të penguar trajnerin që i solli titullin pas 33 vitesh të përfundojë në një skuadër tjetër të Serisë A.
Për këtë ka folur edhe Masimo Morati, ish-presidenti i Interit, që mbi deklaratën e De Laurentisit (“Nuk është çështje parash, por çështje parimesh) ka thënë: “Gjërat që po ndodhin në futboll mes Lukakut dhe De Laurentisit më kanë habitur shumë. E kuptoj që për De Laurentisin ka një çështje parimore me Spalletin, por nuk shikoj asnjë fleksibilitet mendor dhe as bujari. Nëse për të janë pak 3 milionë, për mua do të ishin edhe më pak dhe nuk do të ndalesha para kësaj gjëje, nuk do ta kisha penguar trajnerin të shkonte në stolin e kombëtares”, tha ish-presidenti, duke paralelizuar situatën e presidentit të Napolit me atë të sulmuesit belg.


