Tirana nuk fal, shkëputet +5 në krye, dygolësh i Abazajt, Egnatia nuk i ndal kampionët

Tirana-Egnatia dhuron emrocione deri në minutën e 95. Ish-sulmuesi i Kombëtares, Kristal Abazaj , njeriu që u transferua në dimër për të bërë diferencën, nuk zhgënjen dhe gjen dy golat e parë me fanellën bardheblu në një ndeshje ku Tirana mund të bënte hapin e madh pas disfatës së Partizani.
Goli i shënuar nga Kasa pas një kombinimi perfekt me Dwamena, u zhvlerësua nga dy rrjetat e sulmuesit me origjinë tropojane por ndeshja e luajtur në Elbasan mbeti e hapur deri në fund.
Rrogozhinasit tentuan me të gjitha mënyrat për të shënuar por nuk ia dolën mbanë dhe dukshëm të nervozuar në fund kontestuan arbitrin për shkak të disa vendimeve që për ta ishin të dyshimta.
Me këtë sukses, 8 javë nga fundi, Tirana shkëputet në krye me 5 pikë më shumë se Partizani dhe tashmë e ka vetë në dorë fatin e saj për çështjen titull. Orges Shehi, si në kohën e Skënderbeut, mund të bëhet i pari trajner pas epokës së dominimit të korçarëve, që fiton dy tituj rresht.
