Inzaghi gjen fajtorin e dështimeve: Fajin e kanë portierët kundërshtarë…

Sikur të mos mjaftonte humbja e katërt në 5 ndeshjet e fundit të kampionatit, tifozët e Interit duhet të bëjnë llogaritë edhe me justifikimet e Simone Inzaghit. Javë pas jave, trajneri italian ka gjetur një apo disa arsye për hapat falsë të skuadrës dhe kështu ka bërë edhe këtë herë duke zgjedhur të fokusohet te portierët kundërshtarë që sipas tij, në 5 ndeshjet e fundit kundër Interit, kanë bërë mrekulli, duke mos lejuar që skuadra e tij të fitojë.

“Nuk është rastësi që gjejmë portierë si Ochoa, Dragowski, Di Gregorio e disa të tjerë që luajnë mirë kundër nesh. Janë përherë më të mirët në fushën e lojës”.

Një qëndrim që ka ndezur zemërimin e një pjese të madhe të tifozerisë zikaltër që e cilëson trajnerin si shkaktarin kryesor të disfatave të njëpasnjëshme të Interit. Rrjetet sociale po ziejnë në lidhje me këtë deklaratë, madje ka shumë nga ata që i kujtojnë trajnerit se detyra e portierëve është ikërisht kjo, të presin sa më shumë topa të adresuar drejt portës që ata mbrojnë.