Duan punëtorë shqiptarë! Turoperatorët në Vlorë: Synojmë vendasit, të huajt kushtojnë e largohen

Operatorët turistikë në Vlorë synojnë punëtorë shqiptarë për stafet e tyre. Thonë se eksperiencat me të huajt kanë rezultuar negative pasi ata janë të kushtueshëm e shpesh e përdorin Shqipërinë si vend tranzit drejt Evropës.

Sigurimi i fuqisë punëtore mbetet sfidë për operatorët turistikë edhe këtë vit.

Bizneset në Vlorë ende nuk i kanë plotësuar stafet e tyre edhe pse sezoni turistik është në prag.

Synojnë të punësojnë shqiptarë pasi eksperiencat me të huajt nuk kanë rezultuar pozitive.

Kostot e punonjësve të huaj janë shumë të larta ndërsa në jo pak raste ata e kanë përdorur Shqipërinë si vend transit e janë larguar nga punëmarrësit.

Vasil Bedinaj, kreu i operatoreve turistike për jugun thotë se në rast nevoje do i drejtohen tregut Aziatik.

Operatorët turistikë tregojnë se pagat për punonjësit thuajse janë dyfishuar.

Përkundër sfidës që kanë thonë se këtë vit i pret një sezon i mbarë, pasi prenotimet kanë nisur që fundvitin e shkuar.

Sipas llogarive të operatorëve turistikë këtë vit në Vlorë numri i vizitorëve prite të jetë gati 30% më i lartë se verën e shkuar.